Aktualitet

Pagat në sektorin publik do të indeksohen të paktën çdo dy vjet, paga në nivelet e BE për punonjësit e fushave prioritare

Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut miratoi sot projektligjin “Për kompetencat për caktimin e pagave, trajtimeve të tjera financiare dhe përfitimeve të të punësuarve në institucionet e administratës publike, si dhe të pagës bazë minimale në shkallë vendi”.

Miratimi i ligjit në fjalë pritet t’i hapë rrugë edhe rritjes graduale të pagave të punonjësve të administratës publike, paralajmëruar këtë vit nga Kryeministri.

Sipas relacionit të qeverisë shqiptare, ligji i ri synon të zgjidhë disa problematika të vërejtura në ligjin aktual, “Për kompetencat për caktimin e pagave dhe të shpërblimeve”.

Sipas qeverisë, ky projektligj do të rregullojë kompetencat për caktimin e pagave, trajtimeve të tjera financiare dhe trajtimeve vetëm për të punësuarit në administratën publike, me përjashtim të pagës minimale në shkallë vendi, e cila do të jetë e detyrueshme edhe për sektorin privat (me ligjin aktualisht në fuqi kishte përcaktime edhe për persona të tjerë juridikë apo fizikë, vendas apo të huaj).

Në projektligj përfshihen për herë të parë parimet, mbi bazën e të cilave duhet të përcaktohen pagat, trajtimet e tjera financiare dhe përfitimet, gjë që mungon në ligjin aktualisht në fuqi.

Në projektligj është shtuar kompetenca e Këshillit të Ministrave për të miratuar masën e indeksimit të pagave të të punësuarve në institucionet administratës publike, jo më vonë se dy vite nga indeksimi i fundit, si dhe rregullat për zbatimin e tij. Niveli i indeksimit, në çdo rast, nuk kalon një pikë përqindjeje mbi nivelin e targetuar të inflacionit nga Banka e Shqipërisë.

Në projektligj janë shtuar kompetenca të reja, për të cilat kishte boshllëk ligjor, nëpërmjet të cilave përcaktohen që të punësuarit në administratën publike, përveç pagës dhe shpërblimeve, do të kenë të drejtë edhe për trajtime të tjera financiare dhe përfitime të tjera.

Projektligji parashikon edhe rregullat, kriteret dhe masën për trajtime të tjera financiare dhe përfitime, si dhe rregullat për pagesën shtesë për punën e kryer mbi kohën normale të punës, në ditët e festave zyrtare e të pushimit javor dhe për raste të tjera, të parashikuara në Kodin e Punës dhe në ligje të tjera të veçanta.

Risi e rëndësishme është parashikimi për shtesën e veçantë të kushtëzuar mbi pagën bruto mujore, sipas fushave ose nënfushave prioritare të zhvillimit të vendit, në masën që nuk tejkalon vlerën e pagës mesatare mujore të sektorit respektiv në vendet e Bashkimit Europain, por, në çdo rast, nuk mund të tejkalojë pagën mesatare mujore më të lartë të një prej vendeve të BE-së, referuar të dhënave të Eurostat-it (aktualisht, sipas të dhënave të Eurostat-it për vitin 2021 ajo është 6021 euro).

Kjo është një kompetencë e re, që nuk ka ekzistuar në ligjin aktual. Nëpërmjet këtij parashikimi, të punësuarve të administratës publike në fusha apo nënfusha prioritare që do të përcaktohen rast pas rasti me vendim të Këshillit të Ministrave, u njihet e drejta që përveç pagës mujore të përfitojnë edhe një shtesë të kushtëzuar (psh. në kohë dhe sipas funksioneve).

Kjo iniciativë synon të krijojë kushtet e nevojshme që institucionet e administrates publike të mund të mbajnë apo të tërheqin disa kategori të punësuarish “Hightech dhe Highskilled”, duke konkurruar denjësisht me tregun privat.

Me propozimin e ministrit përgjegjës për financat, parashikohet për herë të parë edhe mundësia e mbështetjes financiare të menjëhershme në rastet e situatave të vështira ekonomiko – shoqërore apo situatave të shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme, për të punësuarit në institucionet e administratës publike, me përjashtim të të punësuarve të njësive të vetëqeverisjes vendore. Monitor

Exit mobile version