Pas miratimit të ndryshimeve ligjore në sektorin e turizmit, në listën e strukturave akomoduese që kanë detyrimin të pajisen me certifikatë kategorizimi janë shtuar edhe disa njësi të tjera.
“Janë shtuar disa kategori të reja të struktrave akomoduese, strukturat e reja janë apartamentet, dhoma, dhe grup apartamentesh që janë struktura akomoduese që po përdoren shumë në air bnb. Prej sistemit të qendrave historike, kemi edhe dy kategori të reja që janë hotele në qendra historike dhe struktura që vjen nga Italia, që është hoteli i shpërndarë” , thotë Sofjan Jaupaj, Drejtor për Çështjet Ekonomike dhe Shërbimet Mbështetëse te Ministria e Turizmit
Procedura e aplikimit për certifikatën që përcakton nëse një bujtinë është hotel, motel, bujtinë, resort, etj., kryhet në e-albania ku subjektet duhet të ngarkojnë disa dokumente.
“Gjithë proceset e fushës së turizmit, Ministria e Turizmit i ka online në e-albania, ku futet edhe procesi i kategorizimit. Në kuadër të derregullimit, Ministria e Turizmit në dhjetor kreu një proces shkartisjeje të dokumentacionit, duke e bërë të lehtë procedurën, kërkon pesë dokumente bazike si mbrojtja kundër zjarrit, akti hjigjieno-sanitar, një nipt ose id e pronarit të subjektit dhe një planimetri dhe brenda 10 ditëve nga aplikimi në e-albania, subjektet pajisen me certifikatë”, thotë Jaupaj.
Për t’u pajisur me certifikatën e kategorizimit, kostot për subjektet aplikuese janë zero. Kjo certifikatë nuk ka afat vlefshmërie dhe përmes saj, Ministria e Turizmit synon të ofrojë standard sigurie dhe cilësie për turistët, si edhe të ketë të dhëna më të sakta për numrin e strukturave akomoduese.
Nëse një subjekt kapet pa certifikatë kategorizimi, gjobat variojnë nga 20 mijë deri në 400 mijë lekë, bazuar në numrin e dhomave.