Aktualitet

Paketa fiskale, nis rritja e taksave të karbonit nga 2024-2030 për mbrojtjen e mjedisit, shtohen kostot për industrinë e rëndë

Ndryshimet klimatike dhe ndikimi negativ i tyre mbi klimën dhe mjedisin konsiderohen nga Bashkimi Europian dhe Organizatat e Kombeve të Bashkuara ndër sfidat kryesore në ditët e sotme, ndaj në kuadër të integrimit qeveria shqiptare ka vendosur të aplikojë rritjen e taksës së karbonit sipas një kalendari që nis të zbatohet që nga viti 2024 deri më 2030 (shiko tabelen bashkëngjitur).

Projektligji nr.2023/956, “Për vendosjen e një mekanizmi të rregullimit të kufirit të karbonit” parashikon aplikimin e një mekanizmi të rregullimit të kufirit të karbonit (carbon border adjustment mechanism), i cili përcakton taksimin e importeve drejt vendeve të Bashkimit Europian nga shtete që nuk aplikojnë ose aplikojnë një taksë të ulët karboni në tregun e tyre të brendshëm krahasuar me nivelet e taksimit në vendet e Bashkimit Evropian.

Pjesë e industrive, për të cilat do të aplikohet CBAM, janë edhe industritë si ajo e çimentos dhe e çelikut, të cilat zënë pjesën më të madhe të përdorimit të qymyrgurit në Shqipëri, si lëndë djegëse për aktivitetin e tyre. Për rrjedhojë, duke filluar nga viti 2026, eksportet drejt Bashkimit Europian të industrisë së çimentos, çelikut dhe industri të tjera, të cilat çlirojnë karbon në natyrë gjatë procesit prodhues, do t’i nënshtrohen një detyrimi financiar të lartë për taksën e karbonit mbi qymyrin, me qëllim arritjen e kufirit minimal të taksimit të karbonit të çliruar në natyrë.

Kufiri minimal i taksimit të karbonit, i përcaktuar nga FMN-ja për produktet që çlirojnë dioksid karboni, është 60 USD/ton CO2e në lidhje me kostot e ngrohjes globale, thuhet në relacion.

Meqenëse vendi ynë taksën e karbonit të qymyrit e aplikon në njësinë lekë/kg qymyr dhe jo mbi sasinë e karbonit të çliruar në atmosferë nga ky produkt, nëse kufirin minimal të taksimit të karbonit do ta përkthejmë në lekë/kg, rezulton se niveli minimal i taksës së karbonit mbi qymyrin duhet të jetë të paktën 15.3 lekë/kg qymyr nga 3 lekë/kg qymyr që është sot.

Si pasojë e ngarkesës fiskale të ulët në Shqipëri, e cila për qymyrin është 3 lekë/kg, pra, gati 5 herë më e ulët se kufiri minimal, duke filluar nga viti 2026, të gjithë tatimpaguesit nga vendet jashtë Bashkimit Evropian, por që eksportojnë produkte brenda Bashkimit Evropian dhe për prodhimin e të cilave është çliruar karboni në natyrë, do të duhet të deklarojnë ngarkesën fiskale të paguar në vendin e tyre.

Mekanizmi llogarit ngarkesën fiskale, që do të duhet të paguanin tatimpaguesit që eksportojnë në Bashkimin Evropian, për të arritur nivelin minimal të taksimit të karbonit prej 60 USD/ton CO2e (15.3 lekë/kg qymyr) dhe, nëse rezulton se në vendet e tyre kanë paguar më pak taksë karboni se kufiri minimal, atëherë vendet e Bashkimit Evropian do të kërkojnë pagesën e diferencës së taksës që duhej paguar deri në kufirin minimal.

Me nivelin aktual të kësaj takse do të duhej që në vendin e eksportit të produkteve të tilla të paguhej diferenca 15.3 lekë – 3 lekë, pra, të paguheshin 12.3 lekë për kg qymyrgur të përdorur. Në këto kushte, është e nevojshme që të merren masa paraprake për përafrimin e legjislacionit, në mënyrë që: i. ngarkesa fiskale të mos jetë e menjëhershme; dhe ii. taksa mbi emetimet e karbonit për prodhimet shqiptare të shkojë në të ardhurat e buxhetit të shtetit shqiptar dhe jo të vendeve ku eksportohen produktet.

Ekspertët e Bankës Botërore sugjerojnë rritjen e taksës së karbonit mbi qymyrin, që aplikohet në Shqipëri, sipas një kalendari në terma afatgjatë, me qëllim unifikimin me nivelin minimal të taksimit të qymyrit në 15.3 lekë/kg, i cili korrespondon me kufirin më të ulët prej 60 USD/ton CO2e për kostot e 4 ngrohjes globale.

Ky propozim sugjerohet të fillojë që në vitin 2024, me qëllim edukimin gradual të tatimpaguesve me sfidat që priten në vitet në vazhdim, si dhe për një shpërndarje më të drejtë e jo të menjëhershme të kësaj barre fiskale.

Pas rishikimit të kalendarit të propozuar nga ekspertët e Bankës Botërore, Ministria e Financave dhe Ekonomisë ka propozuar një kalendar të butë rritjeje, nga janari 2024 deri në vitin 2030, ku arrihet niveli minimal i taksimit të karbonit mbi qymyrin.

Kalendari i propozuar nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë merr në konsideratë faktin që në vitet e para fokusi kryesor duhet të jetë edukimi gradual i tatimpaguesve, si dhe vendosja e një niveli takse, e cila nuk frenon prodhimin vendas dhe eksportet. Kalendari që propozohet në këtë projektligj është, si në vijim:

Ndërkohë, për taksën e karbonit mbi qymyrin që aplikohet në krerët 2701 dhe 2702 të nomenklaturës, me anë të këtij projektligji propozohet përfshirja në këtë taksë edhe e kreut 2704 “Koks dhe gjysmëkoks prej qymyrit, linjitit apo prej torfe, nëse është apo jo i aglomeruar; karbon i konvertuar”, pasi ky kre është i lidhur gjithashtu drejtpërdrejt me nënprodukte të qymyrit, të cilat çlirojnë karbon në natyrë.

Nëse bëjmë një vlerësim të industrive në Shqipëri, që preken nga taksa e karbonit mbi qymyrin, siç dhe u përmendën më sipër, industritë, të cilat importojnë qymyr në Shqipëri dhe më pas e përdorin si lëndë të parë, janë industria e çimentos, ajo e çelikut, si dhe industria e prodhimit të ferro-kromit, të cilat janë edhe kompani të rëndësishme eksportuese në vendin tonë dhe kostoja e produkteve të tyre ndikohet për shkak të rritjes së nivelit të taksës së karbonit.

Tri janë kompanitë kryesore importuese në Shqipëri të produktit qymyr, sipas kreut 2701 të NKM-ve, të cilat zënë 99.9% të totalit të importit 5 (rreth 100 mijë tonë në vit), dhe e përdorin si lëndë të parë për prodhimin e produkteve të sipërpërmendura.

Ministria e Financave dhe Ekonomisë, bazuar në të dhënat e marra nga subjektet, ka analizuar ndikimin që ndryshimi në rritje i taksës së karbonit do të ketë në rritjen e kostove të produktit të këtyre kompanive.
Për vitin 2024 propozohet rritja me 0.5 lekë/kg e taksës së qymyrit, e cila, sipas analizave, rezulton se do të sjellë një rritje të kostos së plotë të prodhimit të çimentos me 0.5%. Por, duke pasur parasysh se aplikimi i taksave të karbonit do të jetë një fenomen global, rritje të kostove do të kenë të gjithë operatorët e tjerë ekonomikë në rajon dhe në Evropë.

Njëkohësisht, eksportet më të mëdha të këtyre kompanive janë kryesisht me vende, si: Kosova, italia, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Serbia, Rusia. Duke qenë se pjesa më e madhe e këtyre vendeve kanë statusin e vendit negociator për përfshirjen në Bashkimin Evropian, edhe politikat fiskale të tyre pritet të jenë në të njëjtën linjë për sa parashikohet në këtë projektligj.

Lidhur me të ardhurat shtesë nga kjo taksë, për vitin 2024 parashikohet të arkëtohen nga taksa e karbonit mbi qymyrin me rreth 170 milionë lekë shtesë, nga 300 milionë lekë sa mblidhen aktualisht. Monitor.

Exit mobile version