Temperaturat e larta të këtyre ditëve kanë ndikuar dhe në problematikat e shëndetit mendor. Për pasojë, një numër tejet i lartë i personave që kanë pasur nevojë për ndihmë mjekësore janë paraqitur në dyert e mjekëve psikiatër.
“Ka një pandemi, të themi, të problemeve të shëndetit mendor, që pas pandemisë dhe tërmetit ishte e pritshme. Në periudhë vere që kur klima është bërë më e nxehtë kemi shtim të numrit të rasteve. Në një ditë pune mund të hasim 20 deri në 25 persona që kërkojnë ndihmë dhe nga këto 10-15 janë vizita të para”, thotë psikiatrja Arjana Rreli per televizionin EuronewsAlbania .
Asnjë nuk është imun ndaj problemeve të shëndetit mendor, por sipas psikiatres shumica e pacientëve janë mosha aktive.
“Fashat moshore janë përgjithësisht moshat aktive 20-45-50 vjeç. Por në këto temperaturat e larta nuk mungojnë as moshat e treta, që duke qenë se kanë problem kronike të shëndetit, kjo ja evidenton më tepër ankthin, depresionin”, shprehet psikiatrja.
Një studim i fundit ka nxjerrë në pah edhe lidhjen mes temperaturës dhe rritjes së problemeve të shëndetit mendor.
“Ka rezultuar se 0,9 është përqindja, pra gati 1 në 100, është përqindja që ka risk një problem i shëndeti mendor të shfaqet me rritjen 1 gradë të temperaturës. Kjo gjë vërteton që ka simptoma që janë të lidhura me termorregullimin që është në qendër të sistemin nervor dhe që rregullon procese të tjera metabolike në organizëm gjë që predispozon për disekuilibra që çon në problem të shëndeti mendor”, thekson ajo.
Për pasojë ekspertët thonë se vera bën të rrisë sëmundshmërinë.
Duke ju referuar kësaj situate mjekët psikiatër rekomandojë që përveç evitimit të vendeve me temperatura të larta, të mos lihet pas dore aktiviteti fizik në orët e freskëta si dhe të shmangen bisedat toksike për të pasur një mendje sa më të shëndetshme.