Pedagoget i kthehen protestave, ata paralajmerojne se do te kene tubim te perbashket me studentet nga i gjithe vendi. Konkretisht, sot sindikata e punonjësve të Universiteteve ftoi pedagogët dhe stafin akademik si dhe studentët në një tubim më 22 shkurt te Korpusi ne Tirane. Kreu i kesaj sindikate z. Sandër Kovaçi tha se baza e protestës janë kërkesat e peticionit të firmosur nga pedagogët. Ai theksoi se jemi ne vitin e dhjete te kesaj Qeverie dhe se nuk ka me tolerime ne asnje aspekt. Permes nje deklarate per shtyp nga Sindikata thuhet se: “Në vijimësi të përmbushjes së misionit tonë akademik si dhe të zotimit që të gjithë bashkë kemi bërë “për një arsim cilësor dhe në shërbim të shoqërisë”, përgjatë këtyre muajve kemi ndjekur shqyrtimin, nga ana e autoriteteve publike, të kërkesave të peticionit tonë. Ju informojmë se SPUSH i është drejtuar zyrtarisht dhe publikisht institucioneve përkatëse për trajtimin e kërkesave legjitime të stafeve akademike, ndihmës-akademike dhe administrative, me besimin se këto institucione njohin, vlerësojnë, pra dhe do duhet të mbështesnin organizimet publike dhe vullnetare të stafeve akademike dhe zërin e këtij grupimi intelektual, që më shumë se kushdo tjetër besojnë se një shoqëri demokratike funksionon si e tillë për aq kohë, sa qytetarëve të saj iu mundësohet cilësia e arsimit. Mungesa apo shkëputja e urave të komunikimit dhe informimit ndërmjet qeverisë dhe profesoratit është shembulli më i keq për të treguar hegjemoninë e makinerisë së pushtetit ndaj grupimeve më genuine të shoqërisë”.
Kerkesat e pedagogeve.
Ne deklaraten per shty cilesohet se qëndrimet e qeverisë për të mos mbështetur financiarisht arsimin e lartë në lidhje me rritjen e pagave dhe fondit për kërkimin shkencor dëshmon mungesën e njohjes, por edhe të ndjeshmërisë së pushteteve ndaj asaj që po ndodh në universitete dhe në gjithë shoqërinë tonë. Jo pa indinjatë po sjellim përsëri në vëmendjen tuaj kërkesat e peticionit dhe heshtjen provokuese ndaj tyre, por edhe qëndrimin tonë unanim ndaj prepotencës së kabinetit qeverisës në disa ndërhyrje në vendime ndaj IAL:
– Mbetet ende pa përgjigje kërkesa jonë për shtesën e pagës për vjetërsinë në punë, shtesë e cila duhet të kishte filluar të zbatohej që në janar 2023;
– Vazhdon të mbetet pa përgjigje kërkesa për njohjen dhe kompensimin për dëmshmërinë në punë të stafit ndihmës akademik dhe administrativ; Ndërkohë që kjo kategori nuk ka marrë as shtesën prej 8%, pasi u la jashtë VKM-së së datës 5 tetor 2022; Në kushtet e një mosrregullimi të këtij problemi, një zgjidhje do të ishte rritja me një kategori në listën e klasifikimit të pagave.
– Ende nuk ka marrë formë kërkesa për rivlerësimin e orës mësimore;
– Tërheqim vëmendjen dhe ngremë fort zërin se ndryshimet e propozuara për VKM 112/2018, “Për përcaktimin e kritereve për fitimin e gradës shkencore “Doktor” dhe të standardeve shtetërore për fitimin e Titujve akademikë “Profesor i Asociuar” dhe “Profesor”, do duhet të bëhen për të mundësuar në çdo rast, promovimin akademik dhe karrierën për stafin akademik, duke rritur mbështetjen financiare për punën dhe veprimtarinë shkencore e kjo gjithmonë në funksion të nxitjes dhe rritjes akademike të stafeve për punë dhe veprimtari shkencore mbi të gjitha me ndikim dhe në shërbim të shoqërisë shqiptare.
– Në vijim të misionit tonë akademik, shprehim refuzimin tonë në lidhje me VKM 741, datë 23.11.2023, e cila vë në praktikë kreun 12, të ligjit Nr. 80/2015 “Për Arsimin e Lartë dhe kërkimin shkencor në Institucionet e Arsimit të Lartë në Republikën e Shqipërisë”, i kundërshtuar nga ekspertë të huaj dhe vendas, qysh në kohën e miratimit të tij në vitin 2015. Kjo VKM do sjellë asgjësimin përfundimisht të themeleve dhe shtyllave bazë mbi të cilat ngrihen dhe funksionojnë universitetet publike. Ligji, me anë të aplikimit të këtij kreu, paralizon misionin e universitetit si një e mirë publike, duke e shndërruar dhe trajtuar atë si një pronë private dhe si burim fitimesh!!! Zbatimi i kësaj VKM-je, do të sjellë po ashtu mbylljen shumë shpejt të disa nga universitetet e rretheve, gjë që shumë shpejt do të sjellë dhe shpopullimin dhe varfërimin e këtyre qendrave nga elitat intelektuale që tradicionalisht janë zhvilluar në këto universitete.
Përqendrimi i të gjitha programeve të studimit në Tiranë, duke mbyllur ato të rretheve, është një tjetër shqetësim i punonjësve të universiteteve publike.
SPUSH vazhdon të mbetet ofrues i bashkëpunimit, dialogut dhe transparencës në të gjitha iniciativat e synuara, për të normalizuar, por edhe përmirësuar cilësinë e punës në IAL-të publike. Përfaqësuesit e qeverisë apo dhe kuvendit, si nën të njëjtën komandë, kanë shfaqur mungesë totale të ndjeshmërisë në vlerësimin dhe angazhimin e tyre për të dialoguar dhe bashkëpunuar, që ashtu së bashku ta mbrojmë këtë hallkë të rëndësishme të tempullit të dijes.
Secili prej kolegëve dhe bashkëpunëtorëve, nënshkrues të peticionit, e dimë se ekziston gjithmonë një zgjidhje për çdo problem njerëzor.