Mbingarkesa në pavijonet e Pediatrisë në QSUT ka arritur kulmin, ndërsa mjekët përballen me një situatë të pazakontë për stinën e vjeshtës. Pavijonet janë plot me foshnja nën moshën 6 muajshe, të prekur nga një rritje shqetësuese e virozave respiratore. Sipas mjekëve, 60% e këtyre rasteve të shtruara rezultojnë të prekur nga virusi respirator sincicial (RSV), një shkak i zakonshëm i infeksioneve të rrugëve të frymëmarrjes te të vegjlit. Në një deklaratë për shtyp, shefja e Pediatrisë Infektive, Dr. Gjeorgjina Kuli, thekson se virozat respiratore kanë pësuar një shpërthim të pazakontë këtë vit. Ajo thekson se ndërsa simptomat e RSV-së janë të ngjashme me ato të COVID-it dhe gripit, testet ndihmojnë në diferencimin e këtyre sëmundjeve, duke lehtësuar trajtimin e duhur. Kushtet e pazakonta klimatike dhe periudha pas COVID-it janë dy faktorë kryesorë që kanë ndikuar në rritjen e këtyre infeksioneve. Për fat të keq, gripi ka arritur më herët se zakonisht këtë vit, duke kontribuar në shtimin e rasteve në spitale. Mjekët bëjnë apel për kujdes të shtuar, sidomos për prindërit e foshnjave dhe fëmijëve të vegjël, që të ndjekin masat e higjienës dhe të shmangin kontaktet e panevojshme.