Je ne prag pensioni? Te duhen dhe shume pak vite per te mbyllur marredhenien e punes Tuaj? Tani eshte momenti, ploteso vitet e munguara te punes nepermjet skemes vullnetare te sigurimeve shoqerore brenda muajit mars. Me hyrjen në fuqi të pagës së re minimale nga data 1 prill, do të ndryshojë edhe kuota mujore e pagesës që duhet të bëni për të blerë vitet e munguara të punës nëpërmjet skemës vullnetare të sigurimeve shoqërore. Përkundrejt këtij ndryshimi, autoritetet e Institutit të Sigurimeve Shoqërore u bëjnë thirrje të gjithë qytetarëve, që kanë periudha të pasiguruara në historikun e tyre të kontributeve, të nxitojnë t’i paguajnë ato brenda muajit mars, pasi me fillimin e muajit të ardhshëm, kuota e sigurimit vullnetar do të rritet. Duke paguar këto kontribute ju do të keni mundësi që jo vetëm të shtoni vitet e punës që duhen për efekt të daljes në pension, por dhe të merrni një pension sa më të lartë kur të plotësoni kushtet e përfitimit.
Sigurimi vullnetar është një mundësi për të gjithë shtetasit shqiptarë, kudo që ndodhen, brenda territorit të Republikës së Shqipërisë dhe jashtë saj. Në këtë skemë përfshihen të gjithë shtetasit shqiptarë që plotësojnë këto kushte: Kanë mbushur moshën 18 vjeç dhe akoma nuk u ka lindur e drejta për ndonjë përfitim nga skema e sigurimit të detyruar, kur për një kohë dhe shkaqe të caktuara nuk mund të sigurohen nga skema e sigurimit të detyrueshëm, janë të siguruar në skemën e sigurimit të detyrueshëm dhe kërkojnë që nëpërmjet sigurimit vullnetar të rrisin të ardhurat e tyre, si dhe nuk janë pjesëmarrës në skemën e të vetëpunësuarve në bujqësi. Po sipas kushteve të përcaktuara, kur personi i interesuar ka lënë shtetësinë shqiptare, mund të bëjë sigurim vullnetar vetëm për periudhën nga 1.1.1994 deri në datën që ka lënë shtetësinë shqiptare.
Çdo person që ka paguar kontribute për sigurim vullnetar, pasi plotëson kushtet e përcaktuara në Ligjin nr. 7703, datë 11.05.1993 “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, sipas rastit do të jetë përfitues i: Pensionit të pleqërisë, pensionit të reduktuar të pleqërisë, pensionit familjar, si dhe pensionit të plotë dhe të pjesshëm të invaliditetit. Kontributi vullnetar llogaritet në kufijtë e pagës minimale dhe maksimale të caktuar nga Këshilli i Ministrave dhe paguhet nga personi i siguruar në shumën dhe afatin e përcaktuar në kontratën e sigurimit vullnetar.
3 fushat që mbulohen me sigurim vullnetar
Autoritetet e sigurimeve shoqërore bëjnë me dije se tre janë fushat që mund të mbulohen nëpërmjet skemës vullnetare. Kështu, çdo qytetar mund të sigurohet vullnetarisht për vitin korent, mund të bëjë sigurim vullnetar për periudha të shkuara, si dhe në rastet kur duan të sigurojnë më shumë të ardhura nga pensioni, ndryshe nga sa mund të përfitohet nëpërmjet skemës së detyrueshme.
Sigurimi vullnetar për vitin korent
Personat që sigurohen për vitin korent kanë të drejtë të të sigurohen deri në kufirin e pages maksimale. Në këtë rast, masa e kontributit që duhet të paguhet për sigurimin vullnetar nga personi i interesuar, është e barabartë me masën që paguhet për degën e pensioneve, sipas pagës minimale të miratuar nga qeveria në periudhën kur bëhet pagesa. Kuota mujore e sigurimit vullnetar edhe për muajin mars do të jetë 7,344 lekë, që i korrespondon pagës minimale mujore: 34,000 lekë x 21.6 për qind. Ndërkohë që kjo pagesë gjatë muajit prill do të pësojë rritje, për shkak se në llogaritje do të përfshihet paga e re minimale që është përcaktuar së fundmi në vlerën e 40,000 lekëve.
Për pagesat paradhënie, aplikohen zbritje në varësi të kohës kur kryhet pagesa. Kështu, nëse do të parapaguani për vitin në vijim në fillim të periudhave, do të ketë zbritje: 6 për qind mbi shumën për një pagesë vjetore (me kusht që pagesat të realizohen brenda muajit janar). Zbritja do të jetë me 3 për qind mbi shumën për një pagesë 6-mujore (me kusht që pagesat të realizohen përpara fillimit të periudhës 6-mujore, që do të mbulohet me sigurim vullnetar). Ndërsa zbritja me 1,5 për qin mbi shumën për një pagesë 3 mujore (me kusht që pagesat të realizohen përpara fillimit të periudhës 3-mujore, që do të mbulohet me sigurim vullnetar).
Blerja e periudhave të kaluara
Sigurim vullnetar për periudha të kaluara mund të paguajnë: Shtetasit shqiptarë që kanë mbushur moshën 18 vjeç dhe që nuk iu ka lindur e drejta për ndonjë përfitim nga skema e sistemit të detyruar, shtetasit shqiptarë meshkuj për periudhën e studimeve universitare, me kusht që personi i siguruar të paguajë kontribut për këtë periudhë, përpara datës së fillimit të së drejtës për të ardhura, shtetasit shqiptarë që kanë periudha të pambuluara nga sistemi i sigurimit të detyrueshëm brenda dhe jashtë vendit, të cilët dëshirojnë t’i plotësojnë ato nëpërmjet sigurimit vullnetar, si dhe personat që kanë lënë shtetësinë shqiptare, për mbulimin e periudhave të kaluara nga data 01.01.1994, deri në datën që kanë lënë shtetësinë.
Masa e kontributit për sigurim vullnetar për mbulimin e periudhave të kaluara përcaktohet nga koha kur bëhet pagesa (aplikohet masa që është në fuqi në momentin e kryerjes së pagesës, e cila miratohet me VKM, për degën e pensioneve dhe që për llogaritjen e përfitimeve do t’i korrespondojë pagës minimale të vitit që po mbulohet me sigurim vullnetar). Pagesa për të mbuluar periudha të kaluara, bëhet vetëm në kuotën minimale, e cila edhe për muajin mars do të jetë 7,344 lekë në muaj. Në këto pagesa nuk aplikohen zbritje.
“Një person që është në prag të mbushjes së moshës për pension pleqërie, ose e ka mbushur moshën për t’u futur në kushte përfitimi, minimalisht duhet të ketë 15 vite periudhë kontributive të siguruar. Në rast se personi ka 12 vite periudhë kontributive, ka të drejtë të plotësojë 15 vitet e nevojshme duke blerë 3 vjet sigurim nëpërmjet skemës vullnetare”, bëjnë me dije autoritetet e sigurimeve shoqërore.
Përfitimet nga sigurimi vullnetar për pensione më të larta
Me anë të skemës vullnetare mund të bëhet sigurim edhe për pensione më të larta pleqërie, invaliditeti dhe familjar, sipas kontributit të paguar.
Sigurim vullnetar për më shumë të ardhura mund të paguajnë: Të gjithë personat ekonomikisht aktivë të vetëpunësuar, të punësuar dhe punëdhënësit, të cilët duhet të jenë të siguruar si të tillë në skemën e detyrueshme të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore. Ky sigurim bëhet vetëm për vitin korent, në kufijtë e pagave minimale 34,000 lekë deri në 4-fishin e saj (qytetari ka të drejtë të zgjedhë një pagë brenda këtij kufiri). Personat e vetëpunësuar sigurohen me pagë minimale mujore 34,000 lekë. Mbi këtë pagë çdo person ka të drejtë të sigurohet vullnetarisht deri në 4-fishin e saj. Punëmarrësit që sigurohen në bazë të kontratës të nënshkruar me punëdhënësin, kanë të drejtë të sigurohen vullnetarisht për më shumë të ardhura mbi pagën që ata marrin, deri në 4-fishin e saj.
Si paguhet sigurimi vullnetar:
- Personi i interesuar, paraqitet në drejtorinë rajonale të sigurimeve shoqërore dhe merr kontakt me inspektorin e sigurimit vullnetar.
- Ai duhet të ketë me vete: Fotokopje të librezës së punës, ku pasqyrohen periudhat e sigurimit, fotokopje të librezës së kontributeve, në rast se e disponon, si dhe fotokopje të kartës së identitetit ose pasaportës biometrike.
- Periudhat e siguruara pasqyrohen në regjistrin elektonik të kontribuesve të sigurimit vullnetar, dhe qytetari ka mundësi t’i shohë dhe të pajiset me vërtetim për periudhat e siguruara nëpërmjet portalit zyrtar https://e-albania.al/.