Aktualitet

Per periudhen Janar-Shtator, 8.3 milionë vizitorë të huaj. Ministria e Turizmit: Pas pushuesve nga Kosova, italianët renditen të dytët

Bumi turistik që mbizotëroi në vendin tonë prej fillimit të vitit dhe kulmoi gjatë verës, konfirmohet edhe nga shifrat më të fundit. Më konkretisht nga Janari -Shtator të këtij viti mbi 8,3 milionë vizitorë të huaj kanë zgjedhur Shqipërinë si destinacionin e tyre të pushimeve, duke shënuar rritje me 29.6%. Sipas të dhënave 1,1 milionë vizitorë u regjistruan vetëm në muajin Shtator.

Numri i vizitorëve italianë veç Korrikut ka ardhur në rritje edhe gjatë muajt Gusht, duke u kthyer në grupin e dytë më të madh të turistëve që vizituan Shqipërinë me rreth 660 mijë. Në raport me një vit më parë numri i turistëve italianë u rrit me 50 % për periudhën Janar-Gusht, duke përbërë kështu 9.1% të totalit.

Të dhënat zyrtare nga Ministria e Turizmit tregojnë se fqinjët përtej Adriatikut kanë mposhtur çdo grup tjetër përveç Kosovës e cila vijon të jetë në krye të vizitorëve që vijnë në vendin tonë. Shqiptarët e Kosovës përbëjnë 40% të totalit të turistëve që kanë hyrë në vendin tonë deri në Gusht me një shifër prej 2.93 milionë ndërkohë që në raport me një vit më parë kemi një rritje me 17%.

Grupet që historikisht kanë ardhur pas shqiptarëve të Kosovës siç ishin Greqia apo Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi që përbëhet nga emigrantët apo shqiptarët e trevave për këtë vit vijnë pas italianëve.

Në periudhën Janar-Gusht, 511 mijë vizitorë erdhën nga Maqedonia e Veriut, me një rritje 8% në raport me një vit më parë. Kurse nga Greqia rritja në 8 mujorin e 2023 është me 39%, dhe kanë hyrë rreth 450 mijë vizitorë. Grupe që kanë shënuar rritje të dukshme janë gjermanët, spanjollët, por edhe turistët nga Turqia. Në përqindje rritjen më të madhe krahasuar me të njëjtën periudhë të një viit më parë e kanë shtetasit nga Finlanda, Norvegjia e Kina.

Të ardhurit nga Polonia të cilat janë grupi më i madh i turizmit të organizuar në Shqipëri në 8 muaj kanë një rritje me 27% në raport me një vit më parë. Operatorët turistikë presin që ky të jetë viti më i mirë historik i turizmit në vend. Sipas të dhënave të INSTAT numri i turistëve të huaj për muajin Gusht ishte mbi 2 milionë duke pësuar një rritje me 18.3%.

Exit mobile version