Aktualitet

Përfitimi momental nga euro, sa të rrezikuar jemi nga kredia e marrë në valutë?

Një euro dhe dollarë në nivelet më historike prej më shumë se 2 vitesh, nxiti qytetarët dhe bizneset t’i drejtoheshin bankave të merrnin kredi në një monedhë ndryshe nga ajo që sigurojnë të ardhurat aktuale. Por pavarësisht tendencës së ndikuar nga psikologjia e tregut se me një euro poshtë nivelit të 100 lekëve do t’i paguanin këstet e kredive më pak,  të shumtë ishin ata huamarrës që u treguan të kujdesshëm. Duke bërë që stoku i kredisë së pambrojtur në valutë të bjerë me rreth 1 miliardë lekë në 2024, ndërsa në terma vjetorë rënia arriti në 5.7%.

“Kjo ka qenë një tendencë e kahershme që individët kur blejnë një pasuri të merrnin në valutë. Kryesisht në euro. Favorizuar dhe nga normat e kredive që në euro ka qenë më të favorshme. Por në pikëpamjen e riskut ka qenë një ekspozim të cilët e kanë marrë në valutë tjetër ndërsa të ardhurat i kanë në lekë. Në të ardhmen mund të ndodh që valuta të shtrenjtohet edhe në nivelin e 140 lekëve”, tha eksperti i tregut financiar Artur Ribaj.

Ishin individët ata të cilët u treguan më të kujdesshëm duke marrë më pak kredi në valutë ndërsa bizneset nuk e ndryshuan ndikimin e tyre në totalin e kësaj kredie. Kryesisht huamarrësit që marrin kredi në valutë të huaj për blerjen e pasurive të paluajtshme dhe zhvillimin e tyre zënë 60% të stokut, pasuar më tej nga kredia për tregti me 15%.

“Ndërtuesit kujdesen për rreziqet e kursit të këmbimit. Po të kujtojmë se çfarë ka ndodhur me monedhën në Turqi zhvlerësimi i monedhës tuaj me hapa të mëdha rrezikoi investitorët. Duam apo s’duam edhe pse lekun e kemi të fortë dyshimi vazhdon të qëndrojë”, deklaroi Artur Ribaj. Për t’i paraprirë kredive me probleme, në total rënia e kredisë së pambrojtur në valutë tregoi tërheqje të bankave për t’u ekspozuar ndaj kursit të këmbimit. Më të kushtëzuara këto institucione financiare u treguan ndaj sektorit të bizneseve.

Exit mobile version