27-vjeçarja, nënë e katër fëmijëve të mitur trokiti në shumë dyer institucionesh duke kërkuar zgjidhjen e martesës, derisa halli i saj dëgjua vetëm në qendrën e ndihmës ligjore falas ngritur pranë Pallatin e Sportit në Gjirokastër ndërsa juristet përgatitën dosjen administrative për të. E reja është një prej mijëra qytetarëve të cilët kanë përfituar ndihme ligjore falas në një nga 12 qendrat e ndihmës juridike falas të ngritura në disa qytete të vendit, me mbështetjen e PNUD në bashkëpunim me ministrinë e Drejtësisë me financim të Bashkëpunimit Austriak për Zhvillim. Në Gjirokastër mbi 1060 persona janë ndihmuar pjesa më e madhe e tyre janë të moshuar të cilët kërkojnë njohjen e viteve të pensionit dhe për të aplikuar për të përfituar pension. Këto qendra janë njësi të specializuara për dhënien e ndihmës juridike parësore dhe dytësore qytetarëve të cilët kanë të ardhura të pamjaftueshme apo që i përkasin një kategorie specifike në nevojë. Shërbimi juridik falas jepet në mënyrë të pandërprerë, gjithëpërfshirëse dhe të barabartë. “E drejta për të pasur ndihmë juridike falas dhe akses të pandërprerë në drejtësi, është një e drejtë e njeriut dhe si e tillë duhet që ti garantohet të gjithë individëve të cilët e kanë të pamundur ta përballojnë ndihmën juridike. Principi i punës sonë është që askush mos të mbetet pas”, tha për Neë s24 Nora Kushti, menaxhere komunikimi pranë PNUD. Në qytetin e Sarandës një gjyshe vetëm pas 13 vitesh ka mundur të marrë kujdestarinë e mbesës me ndihmën zyrës se avokates Marsela Alia e kontraktuar përmes organizatës “Qendra e Shërbimeve dhe praktikave ligjore te integruara me mbështetjen e PNUD e cila ka ndihmuar dhjetëra gra dhe vajza, shumica prej tyre viktima të dhunës në familje thotë avokatja Marsela Alia. Edhe në qytetin e Fierit nevoja e qytetarëve për ndihmë juridike falas është e madhe. Që nga krijimi, qendra pranë ambienteve të bashkisë u ka dhënë ndihmë ligjore parësore apo dytësore mbi 680 qytetarëve, shumica gra dhe vajza që kërkuan urdhra mbrojtje, apo ndihmë për t’u divorcuar, shkak është bërë gjendja edhe emigracioni thotë juristja Sara Aliaj.Ergys Qirici, drejtor i Përgjithshëm i Drejtorisë se Ndihmës Juridike Falas në Ministrinë e Drejtësisë shprehet se qytetarët në nevojë e kanë gjithmonë derën hapur në qendrat e hapura. Plani është që deri në fund të vitit, qendrat të zgjerohen edhe në Tropojë, Mat, Kurbin Kavajë, Përmet etj.“Deri në fund të vitit 2023, ne do të shkojmë 10 qendra të cilat financohen nga PNUD, nga donatorët, si dhe 10 qendra që financohen nga buxheti i shtetit. Tashmë në ato gjykata të cilat do të mbyllen, qytetarët për të pasur akses, do të kenë mundësi të marrin ndihmë juridike falas parësore të pa ndërprerë”, u shpreh Qirici. Nga viti 2019 deri më sot më shumë se 6000 njerëz në nevojë përfituan shërbim juridik falas pranë qendrave të ndritura në mbarë vendin.