Shqipëria ka numrin më të ulët të të punësuarve dhe numrin më të lartë të atyre që janë pa punë në rajon. Këtë thonë të dhënat e Barometrit të Ballkanit sa i përket anketës së opinionit të publikut për vitin 2024. Të pyetur se cili është statusi aktual i punësimit, rreth 39% e të anketuave në Shqipëri janë përgjigjur se janë të punësuar.
Por, kjo shifër është më e ulta mes vendeve të rajonit. Të parët në rajon renditemi për përqindjen e atyre që janë shprehur se janë të papunë ose të vetëpunësuar. Nga rezultatet e anketës shohim se 20% janë përgjigjur se janë të papunë dhe 15% kanë thënë se janë të vetëpunësuar.
Këto rezultate mbështeten edhe nga të dhënat e “Agjencisë Europiane të Statistikave” referuar periudhave të ndryshme. Sipas shifrave, Shqipëria renditet ndër vendet e para në Europë dhe rajon me normën më të lartë të papunësisë, sidomos tek të rinjtë, dhe normën më të lartë të të vetëpunësuarve.
Por si paraqiten të dhënat e Barometrit të Ballkanit sa i përket përgjigjeve të vendeve të tjera të rajont lidhur me pyetjen mbi statusin e punësimit? Kosova ka përqindjen më të lartë të personave që janë përgjigjur se janë të punësuar dhe ka normën më të ulët të atyre që kanë thënë se janë të papunë.
Nga ana tjetër, në Bosnje Hercegovinë regjistrohet përqindja më e lartë e atyre që janë përgjigjur se janë amvisa ose ose bëjnë punë shtëpie, me 10%. Në Shqipëri, rreth 6% e të anketuarve janë përgjigjur se janë shtëpiake ose amvisa. Ndërkohë, në Serbi gjejmë përqindjen më të lartë të atyre që janë shprehur se janë në pension.