Qeveria në Britaninë e Madhe do të strehojë 500 azilkërkues në një kontenjer në ujë, që do të jetë i pozicionuar në bregun jugor të Anglisë.
Plani synon që të ulë kostot e strehimit për refugjatët që mbërrijnë në brigjet e saj. Zyra e Brendshme deklaroi se kontenjeri do të përdoret për të reduktuar presionin mbi sistemin e azilit në Mbretërinë e Bashkuar dhe për të ulur koston për taksapaguesit, shkaktuar kjo nga rritja e konsiderueshme e kalimeve të paligjshme.
I ankoruar në Portland Port, kontenjeri do të strehojë 500 burra ndërkohë që kërkesat e tyre për azil janë duke u përpunuar. Emigrantët do të zhvendosen në bord në muajt e ardhshëm dhe do të jetë operacion që do të zgjasë për të paktën 18 muaj.
“Përdorimi i hoteleve të shtrenjta për të strehuar ata që bëjnë udhëtime të panevojshme dhe të rrezikshme duhet të ndalet. Ne po shpenzojmë 6 milionë paund për hotelet për azilkërkuesit e paligjshëm. Ne nuk do t’i lartësojmë interesat e emigrantëve të paligjshëm mbi popullin britanik, të cilit jemi zgjedhur t’i shërbejmë.”
Kryeministri Rishi Sunak është zotuar të ndalojë flukset migratore në Kanalin e La Manshit. Vetëm vitin e kaluar kanë kaluar më shumë se 45,000 persona. Pothuajse 88,000 njerëz kanë kaluar në një nga rrugët ujore më të ngarkuara në botë që nga viti 2018. Më shumë se 160,000 njerëz ishin në pritje të një vendimi që nga fundi i dhjetorit 2022, sipas shifrave zyrtare.
Ligji i ri i diskutueshëm i Mbretërisë së Bashkuar, i cili do t’i lejonte autoritetet të dëbonin njerëzit që mbërrinin në brigjet e saj nëpërmjet varkave të vogla përgjatë Kanalit, u kritikua ashpër nga disa organizata bamirëse dhe grupe të të drejtave të njeriut. Ata thanë se plani kriminalizon përpjekjet e mijëra refugjatëve.
Klan News