Një në 3 fëmijë ka probleme me shikimin. Alarmi është bërë nga mjekët okulistë. Të dhënat statistikore vijnë nga program i depistimit të fëmijëve për shikimin. Mjeket okulistë thonë se këto probleme janë në rritje nga viti në vit.
“Depistimi nëpër shkolla ka treguar që një pjesë e rëndësishme e fëmijëve kanë problem me shikimin. Edhe në praktikën tonë të përditshme shohim një shtim të problemit të shikimit tek moshat e vogla dhe të reja. Nga 10 fëmijë, 20-30 % e tyre kanë shfaqur probleme me shikimin”, thotë mjeku okulist Rubin Topi.
Më e shfaqur është miopia apo problemi ne shikimin larg.
“Miopia është ajo që ka një rritje e cila është e dukshme po vihet re tek fëmijët e dhe syri dembel”.
Problematikat në rritje me shikimin, specialistët e lidhin me përdorimin për një kohë të gjatë me pajisjet teknologjike.
“Kjo është e lidhur me qëndrimin e gjatë me pajisjet teknologjike, sepse janë pikërisht pajisjet dixhitale të cilat formojnë miopi, numrin me minus, problemin me shikimin larg”.
Për të evituar problemet me shikimin, përveç rasteve të trashëguara, specialistët rekomandojnë kufizimin të përdorimit të telefonave dhe tabletave, si dhe shmangien e qëndrimit për orë të tëra përpara televizorit.