Shqipëria po merr masa për rikthimin në “jetë” të industrisë ushtarake në vend. Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi në një interpelancë me kryetarin e Komisionit të Sigurisë Kombëtare, Nasip Naço, dha detaje mbi këtë proces, duke theksuar se në këto kushte kur paqja është më e kërcënuar se kurrë, po merren masa më të shpejta sa i takon rritjes së rezervës së municioneve dhe prodhimit në vend.
“Pyetjet e mia janë në lidhje me politikat e Ministrisë së Mbrojtjes pas ngjarjeve të fundit në Ukrainë si dhe a është menduar nga ju rivënia në punë e industrisë ushtarake, ndërkohë që të gjithë vendet e rajonit e kanë të zhvilluar dhe qarkullojnë miliarda lekë,- u shpreh Naço.
“Sot ajo janë inekzistente edhe për shkak të një periudhe të domosdoshme demilitarizimi të vendit. prej 2 vitesh pas agresionit rus në Ukrainë, situata gjeopolitike ka ndryshuar, arkitektura e sigurisë në botë ka ndryshuar. për fat të keq vatra konflikti janë duke u ndezur si efekt domino njëra pas tjetrës dhe ne jemi sot në një periudhë kur paqja është më e kërcënuar se kurrë.
Shqipëria, si gjithë vendet e tjera aleate ka si detyrim të rrisë kapacitetet operacionale dhe nivelin e rezervës me municione dhe armatime për t’iu përgjigjur ndryshimeve të vazhdueshme të situatës së sigurisë. në këto kushte rijetësimi i industrisë ushtarake është synim strategjik. Rijetësimi do të jetë një proces që ka si synim të nxisë inovacionin dhe zhvillimin teknologjik, nëpërmjet një bashkëpunimi me aktorë edhe ndërkombëtarë, privatë apo shtete aleate dhe partnere”, u shpreh ministri
Së fundmi, Ministria e Mbrojtjes ka hedhur për konsultim Strategjinë e re Ushtarake, ku synohet investim në fushën e mbrojtjes në nivelin 2 % të PBB-së, fuqizim i ushtrisë dhe rritje e burimeve njerëzore.