Spitali i Krujës është në rikonstruksion pas dëmtimeve që pësoi nga tërmetit i 4 viteve më parë. Shërbimet spitalore dhe shtrimet janë transferuar në godinën e Maternitetit. Punimet pritet të përfundojnë pas një viti e gjysmë
Ka filluar prej afro një muaji rikonstruksioni total i godinës së spitalit “Stefan Gjoni” në qytetin e Krujës. Ndërhyrja totale pritet të përfundojë në fund të vitit 2024, ndërsa qytetarët po marrin shërbimet e nevojshme në godinën e maternitetit.
Prej më shumë se një muaji, banorët e qytetit të Krujës dhe fshatrave, shërbimet spitalore po i marrin në godinën e maternitetit, pasi spitali “Stefan Gjoni” po i nënshtrohet një rikonstruksioni.
“Punimet kanë filluar nga mesi i korrikut dhe pritet të zgjasin deri në fund të vitit të ardhshëm. Përmban rikonstruksion në kuadër të dëmtimeve nga tërmeti, por edhe për të ofruar një shërbim bashkëkohor. Përveç rikonstruksionit, do modernizohet dhe në pajisje. Ne kemi transferuar të gjitha shërbimet e spitalit. Janë transferuar në godinën e maternitetit. Janë krijuar dhe 2 sallat e operacioneve. Obstetrika me pediatrinë dhe patologjinë”.- tha drejtoresha e spitalit të Krujës, Yllka Cukalaj.
Ndërsa vizitat nga mjekët specialistë kryhen pranë qendrës shëndetësore të qytetit.
“Mjekët specialistë janë transferuar në godinën e rikonstruktuar të qendrës shëndetësore. Asnjë shërbim nuk mungon”. tha drejtoresha e spitalit të Krujës, Yllka Cukalaj.
Godina e spitalit po rindërtohet me një fond prej 288 milione lekësh (288, 075, 765, 728 lek) të Bankës Botërore dhe do tu shërbejë 80 mijë banorëve të bashkisë së Krujës. Punimet pritet të përfundojnë në dhjetor të 2024-ës.