Rrugorja e Tiranës “këshillon” përdoruesit e monopatinave. Monopatinat elektrike po kthehen në një mjet transporti masiv për qytetarët e Tiranës. Ky “trend” gjithnjë e në rritje ka bërë që Policia Rrugore e Tiranës të nisë një fushatë informuese e këshilluese për këtë kategori përdoruesish të rrugës.“Ka një reagim. Kryesisht përdoruesit e patinave elektrike kanë njohuri, është një pjesë intelektuale, kanë mirëkuptim. Në kontaktet që kemi pasur me ta, ne i përkrahim sepse realisht ata e shmangin trafikun, shmangin pjesën e ndotjes, por mënyra dhe respektimi i sinjalistikës horizontale dhe vertikale duhet respektuar sepse bëhet shkak për pasoja fatale, pra aksidente”, thotë Besmir Qibini, shef i Qarkullimit Rrugor Tiranë. Rrugorët e Tiranës kanë nisur të ndëshkojnë me gjoba edhe këmbësorët që kalojnë jashtë vijave të bardha apo me semafor të kuq, duke u kthyer në potencial për aksidente me pasoja. “Shpesh herë ne kemi qenë më agresivë ndaj përdoruesve të rrugës me mjete, të cilët realisht janë potencial për burime të aksidenteve me pasoja, por nisma e fundit ndaj këmbësorëve, përdoruesve të patinave elektrike dhe përdoruesve të biçikletave e motomjeteve, do të bëjë një balancë të masave administrative për të normalizuar lëvizjen rrjedhshëm në akset rrugore”, shprehet Qibini.Sa i takon trafikut në kryeqytet, Policia Rrugore ka shtuar patrullat sidomos pranë aeroportit të Rinasit, ku fluksi i pasagjerëve ka qenë në rritje. “Kemi përforcuar shërbimet dhe u kemi ardhur në ndihmë të gjithë kësaj kategorie përdoruesish të rrugës, që janë kryesisht turistë, duke përfshirë që edhe adresat e tyre kur kanë kërkuar ndihmë ne i kemi ndihmuar. Është menaxhuar mirë dhe po vazhdojmë”, tregon kreu i policisë rrugore për Tiranën