Shendetesi

Rritet financimi për spitalet, Manastirliu: Mbështetje për pagat dhe zgjerim i shërbimeve spitalore

Rritet financimi për sistemin shëndetësor, përmes rialokimit të fondeve nga buxheti i shtetit për mbështetjen e stafeve mjekësore me pagat e reja, si dhe për zgjerimin e gamës së shërbimeve mjekësore në spitale.

“Me rialokimin e buxhetit të spitaleve, do të garantojmë një financim shtesë prej 1.3 miliard lekë për pagat e rritura të stafeve mjekësore. Nga ana tjetër, në kuadër të investimeve të kryera, sikundër janë spitalet e reja, si spitali qendror, spitali infektiv, spitali pediatrik, etj, por edhe mbështetjes me barna e material mjekësore dhe ekzaminime imazherike e laboratorike që janë gjithashtu në rritje, ne kemi alokuar buxhetin e nevojshëm për financimin e sigurt të spitaleve tona”, tha Ministrja Manastirliu.

Duke folur për shërbimet e reja që do të financohen, Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale u shpreh:

“Garantojmë me këtë buxhet edhe zgjerimin e shërbimeve, siç është zgjerimi i shërbimit sa i përket ndërhyrjeve invasive në zemër në Spitalin Memorial, në Spitalin e Shkodrës dhe në Spitalin “Shefqet Ndroqi”. Nga ana tjetër, do të mbështesim shërbimin shëndetësor spitalor edhe për shërbime të reja, sikurse janë ndërhyrjet invasive në tru por edhe shërbime të tjera në vijim, sikurse është transplanti i palcës së kuqe apo fekondimi invitro, shërbime të cilat do t’i shtohen sistemit tonë shëndetësor, qoftë në këtë vit, qoftë në vitin në vazhdim, për të cilat puna ka filluar, ndaj jemi të dedikuar të garantojmë një shërbim shëndetësor sa më efektiv, sa më cilësor, sa më gjithëpërfshirës”, tha Manastirliu.

Exit mobile version