Kërkesa e bizneseve për fuqi punëtore të kualifikuar, në kushtet kur fenomeni i emigracionit në Shqipëri ka ardhur në rritje, ka bërë që gjatë vitit që lamë pas të konkretizohen disa kontrata me punonjës të huaj.
Sipas të dhënave të Inspektoratit Shtetëror të Punës, rritja e punësimit të punëmarrësve të huaj në vitin 2023 rezulton me 86% krahasuar me një vit më parë, çka ka bërë që ti kushtohet një vëmendje e veçantë praktikës inspektuese në kontrollin e kushteve të tyre të punës për të siguruar që ata të kenë kushte të sigurta, të drejta dhe të barabarta në punë.
Por si janë shpërndarë të huajt që punojnë në Shqipëri sipas sektorëve?
Inspektorati Shtetëror i Punës ka inspektuar në total 9,820 subjekte private, në të cilat janë konstatuar 1,350 punëmarrës të huaj, ku 27 prej tyre rezultuan pa leje pune.
Të ndarë sipas sektorëve, numri më i lartë i punonjësve të huaj të konstatuar në subjektet e inspektuara rezulton në ndërmarrjet prodhuese, me rreth 592 punonjës, ndjekur nga sektori i tregti-hotele-bare-restorante me 195 punonjës të evidentuar, kjo nxitur edhe nga sezoni i mbarë turistik vitin e kaluar çka bëri që këto struktura të kishin nevojë për më shumë staf.
Më pas renditet sektori i ndërtimit me 147 të punësuar. Ndërsa sektorët transport dhe telekomunikacion, elektricistet ujë gaz, financë, etj, kanë një numër shumë më të ulët.
Së fundmi qeveria shqiptare ka bërë me dije se është drejt finalizimit të një kontrate për të “importuar” punonjës të kualifikuar nga Filipinet që do të plotësojnë nevojat kryesisht të sektorit të turizmit dhe manifakturës.