Aktualitet

Rritja e tregut të sigurimeve u ngadalësua më tej në muajin shtator.

Rritja e tregut të sigurimeve u ngadalësua përsëri gjatë muajit shtator, duke zbritur në nivele njëshifrore.

Sipas të dhënave nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF), në fund të 9-mujorit, primet e shkruara bruto arritën vlerën e 17 miliardë lekëve, në rritje me 9.85% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Gjatë tremujorit të tretë, shkalla e rritjes është reduktuar ndjeshëm krahasuar me nivelin prej afërsisht 13% që regjistrohej deri në fund të 6-mujorit.

Ngadalësimi i rritjes së tregut të sigurimeve besohet se në një masë të konsiderueshme është ndikuar nga kursi i këmbimit.

Sipas të dhënave të AMF-së, për gjysmën e parë të këtij viti afërsisht 34% e primeve të shkruara bruto në sigurime ishin të llogaritur në valutë të huaj, kryesisht në Euro. Statistikat raportohen në Lekë dhe forcimi i monedhës vendase në kursin e këmbimit ka dhënë një efekt negativ në vlerën e primeve të shkruara në valutë të huaj.

Kontributin kryesor në rritjen e tregut për 9-mujorin 2023 e ka dhënë tregu i Jo-Jetës, me një rritje të primeve prej 10%, ndërsa për tregun e sigurimit të Jetës primet u rritën me 7.5%.

Në tregun e Jo-Jetës këtë vit ka pasur një rritje të peshës së sigurimeve vullnetare.

Sigurimi i pronës nga katastrofat ngelet produkti kryesor i sigurimit vullnetar, me 11.2% të primeve të shkruara bruto, nga 10.4% që zinte një vit më parë. Vijon sigurimi KASKO i automjeteve, me 7.2% të primeve, nga 6.6% në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Megjithatë, duke qenë se një pjesë e mirë e produkteve vullnetare kanë prime të llogaritur në valutë, edhe masa e rritjes së tyre është ngadalësuar në muajt e fundit.

Sigurimet e detyrueshme motorike ngelen megjithatë dominuese në tregun e Jo-Jetës. Në fund të 9-mujorit, ato përbënin 65.3% të primeve të shkruara bruto, nga 67% që zinin në të njëjtën periudhë të një viti më parë. Rënia e peshës së sigurimeve të detyrueshme motorike ka ardhur kryesisht nga rritja e dobët e primeve për produktet e Kartonit Jeshil dhe Policës Kufitare.

Duke qenë se të dyja këto produkte shiten në Euro, edhe në këtë rast vlerësohet se një ndikim të konsiderueshëm ka dhënë kursi i këmbimit. Megjithatë, edhe sigurimi i brendshëm motorik TPL ka shfaqur rritje poshtë mesatares së tregut, duke bërë që pesha e tij specifike të jetë më e ulët krahasuar me vitin e kaluar.

Nga ana tjetër, këtë vit dëmet po rriten me ritme më të ngadalta. Për 9-mujorin, dëmet e paguara bruto kishin vlerën e 4.9 miliardë lekëve, në rritje me 3% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Në tregun e Jo-Jetës, dëmet janë rritur me 3.2% dhe kontributin kryesor në rritjen e dëmeve e kanë dhënë sigurimet e detyrueshme motorike. Ndërkohë, në tregun e sigurimit të Jetës dëmet për 9-mujorin 2023 kanë pësuar rënie me 3.8% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Burimi: AMF

Exit mobile version