Mungesa e një ndërlidhjeje të mirë të transportit publik në vend nga njëra anë dhe përjetimi i një eksperience më të pavarur në anën tjetër, po orienton turistët e huaj gjithmonë e më shumë drejt makinave me qira.
Kompanitë e tregut raportojnë për një rritje të shpejtë të kërkesës që në muajt e parë të këtij viti dhe kulmi parashikohet të jetë gjatë korrik-gushtit, duke ndjekur trendin që ka turizmi. Gjatë kësaj periudhe, ata që preferonin të merrnin një makinë me qira ishin kryesisht emigrantët që vizitonin vendlindjen dhe një numër i kufizuar i të huajve.
Tani po dominon grupi i dytë. “Konfirmojmë rritje të ndjeshme të kërkesës e vlerësuar në rreth 30% krahasuar me vitin 2022. Natyrisht, lufta në Ukrainë penalizon fluksin turistik të territoreve të prekura drejtpërdrejt nga konflikti”, pohon Fabio Penzavecchia, administrator Sicily by Car.
Një tjetër tendencë që vihet re te kërkesa në rritje sa u takon makinave me qira, sipas kompanive, është ajo e klientit që përzgjedh këtë shërbim. Rinia, kryesisht ajo europiane, është bërë pjesë e rëndësishme e tregut. Eliana Bakiri, administratore e “Top Tour” shprehet se ndikim për këtë ka dhënë rritja e numrit të festivaleve që zhvillohet në vend, sidomos përgjatë bregdetit.
“Klientët si moshë fillojnë nga 19 vjeç deri në 73 vjeç sa na lejohet, por sezoni i sivjetshëm është shumë i përqendruar tek të rinjtë . Mendoj se ndikim për këtë pjesë kanë dhënë festivalet që kanë nisur të organizohen, ku kryesisht shkojnë të rinjtë.
Ndërkohë kur flasim për pushime të ndërmjetme që mund të jetë në periudhën e Pashkëve apo disa festa të tjera, ata që vijnë drejt Shqipërisë janë familjarët. Edhe në verë dominojnë familjarët”, – pohon znj. Bakiri.
Kërkesa e lartë rrit flotat e kompanive të makinave me qira
Përpara pandemisë, tregu i makinave me qira edhe në Shqipëri po ndiqte një kurbë të qetë, por në rritje, gjithmonë ndikuar nga turizmi. COVID-19 që vitin 2020 paralizoi globalisht çdo sektor, dha të njëjtin ndikim negativ edhe te kjo industri.
Teksa rikuperimi filloi në vitin 2021, kriza e radhës ishte në tregun e makinave. Mungesa e lëndëve të para dhe gjysmëpërcjellësve krijoi ngërç në sigurimin e flotave të reja dhe rritjen e çmimit të mjeteve të përdorura.
Sot kompanitë pranojnë se kemi hyrë në një terren më të qetë dhe rritja e kërkesës ka sjellë një shkujdesje më të madhe në rritjen e flotave për qiradhënie.
Thuajse të gjitha raportojnë për rritje të numrit të mjeteve që disponojnë.
“Ne kemi rritur flotën e përgjithshme me 10% ndërkohë duke qenë se operojmë në 9 shtete kemi dhe fleksibilitetin që të zhvendosim mjetet nga njëri treg në tjetrin, sipas kërkesës. Për shembull, në muajin mars, ne kemi sjellë në Shqipëri flotën që kemi në Austri duke lënë pak mjete këtu.
Do t’i kthejmë sërish në tetor. Kjo lëvizje erdhi në një kohë kur tregu austriak nuk është më aq interesant, pasi ka rritje të kostove dhe çmimet nuk justifikojnë shpenzimin. Shqipëria, nga ana tjetër, ka një rritje të shpejtë të kërkesës si efekt i turizmit”, shprehet znj. Bakiri.
Ndërkohë edhe Sicily by Car pohon se duke parë ecurinë e shifrave të turizmit, që premtojnë rritje të dukshme, kompania ka bërë parashikimet e saj, duke investuar në flotë.
“Fundi i pandemisë ka përmirësuar zinxhirët e furnizimit nga prodhuesit e automobilave, ndonëse kjo po vjen gradualisht. Flota është e rinovuar plotësisht.
Ne kemi besim se do të ketë rritje të konsiderueshme të turizmit në territorin shqiptar dhe rrjedhimisht edhe në dhënien e makinave me qira. Sicily by Car, falë një parashikimi të kujdesshëm dhe furnizimit proporcional të flotës me automjete të reja, është gati të plotësojë rezervimet”, – nënvizon z. Penzavecchia.
Makinat elektrike, kompanitë: Shqipëria ende nuk është gati
Një studim i fundit i Bonafide Research, i përqendruar tek industria globale e makinave me qira, tregon se kompanitë po orientohen gjithmonë e më shumë te plotësimi i flotave të tyre me mjete hibride ose elektrike, që janë mundësia që zgjedhin konsumatorët, të ndërgjegjshëm për anën mjedisore.
Praktika të tilla të teknologjisë së gjelbër, që zvogëlojnë emetimet e dëmshme shpesh cilësohen edhe si aspekte plus që ato i bëjnë më të preferuara ndër të tjera.
Në Shqipëri, dëshira për të shkuar drejt mjeteve elektrike në flotat e kompanive nuk mungon, por problemi që i kufizon është ai i stacioneve të karikimit, të cilët nuk janë të kudondodhur.
“Për sa i përket projektit të elektrikeve, ne kemi nisur një analizë tregu, si dhe një hartë të territorit shqiptar për të verifikuar se sa dhe ku ndodhen stacionet e karikimit. Ky faktor është thelbësor për të siguruar vazhdimësinë e udhëtimeve të klientëve” – shprehet z. Penzavecchia.
Ndërkohë edhe znj. Bakiri pohon se kompania ka investuar në mjete elektrike, por Shqipëria ende nuk është gati pasi shërbimin për këtë kategori nuk e ka të konsoliduar.
“Ne kemi investuar në makina elektrike dhe flota e kësaj natyre përdoret në disa degë më specifike të turizmit. Por mund të them që europianët nuk janë shumë të predispozuar për të marrë me qira një mjet të tillë, pasi nuk ka shërbim të disponueshëm për këtë lloj mjeti, përveç faktit që stacionet elektrikë të karikimit mungojnë” shprehet ajo.
Interesi në rritje nxit krijimin e platformave për makinat me qira
Kërkesa në rritje nga të huajt për të vizituar Shqipërinë dhe për ta bërë këtë pas një timoni makine nuk po lulëzon vetëm kompanitë që kanë flotat e tyre.
Duke parë këtë interes tashmë janë ngritur edhe platforma të posaçme ku individë apo biznese të vogla që kanë makina që nuk i përdorin mund t’i regjistrojnë ato për t’i dhënë me qira afatshkurtër, për të përfituar të ardhura. Rentfromlocals.al është një prej tyre.
Marin Nikolla, administrator i kësaj platforme, pohon se gjithçka nisi në vitin 2021 pas pandemisë dhe si rrjedhojë e kërkesës në rritje për makina me qira.
“Ideja lindi në vitin 2021 dhe kushdo që ka një makinë ose apartament mund ta regjistrojë në këtë platformë, duke pasur mundësinë ta reklamojë në tregun vendas dhe të huaj për ta dhënë me qira.
Çdokush mund të regjistrohet në këtë platformë pa asnjë kufizim. Ideja për platformën erdhi nga të ngjashëm C2C në Perëndim, shembulli klasik është Uber.
Ne jemi të befasuar me interesin e madh që ka tregu (sidomos ai global) për makina dhe akomodime me qira. Patjetër që kjo kërkesë në rritje është e lidhur ngushtë me zhvillimin e turizmit në Shqipëri.
Parashikimet tona bazuar në përvojën e deritanishme janë që kërkesa për këto produkte do të vazhdojë të jetë në rritje duke qenë se kërkesa për të vizituar vendin tonë është gjithmonë në rritje nga të huaj” – pohon Nikolla. Sipas tij, platforma ka sot të regjistruara rreth 500 mjete./Monitor