Institucionet e shtetit shqiptar përdorin një indikator të posaçëm për të parë ecurinë e kërkesës dhe ofertës në tregun e pasurive të paluajtshme, kohën mesatare të shitjes.
Vitet e fundit kemi dëgjuar shumë për një dinamikë të vrulllshme të tregut të apartamenteve dhe pronave të tjera.
Por çfarë thonë shifrat? Sa kohë duhet që një apartament të shitet?
Referuar një vrojtimi të kryer nga Banka e Shqipërisë, rezulton se koha mesatare e shitjes në fakt është rritur lehtë, duke shkuar në 10.9 muaj për një pronë. Kjo tendencë është konstatuar pothuajse në të gjithë vendin, përfshirë edhe zonat bregdetare. Përjashtim bën vetëm kryeqyteti. Koha mesatare e shitjes së një prone në Tiranë është 8.3 muaj, ndërsa ritmet e shitjes së pronave në kryeqytet janë përshpejtuar.
Në zonat bregdetare vlerësohet se koha mesatare e shitjes së një prone të paluajtshme është 10.9 muaj, ndërsa në zonat e tjera të vendit kohëzgjatja është 13.6 muaj.
Armand Shkëmbi, agjent imobiliar, foli për televizionin Scan mbi ecurinë e tregut të pasurive të paluajtshme për vitet e ardhshme:
“Nga viti në vit kemi pasur më shumë shitje se viti paraardhës, por këtë vit presim të njëjtin numër shitjesh si në 2023-in, ndërsa vitin tjetër ndoshta më pak shitje se viti 2024. Deri sot, Tirana ka qenë kampione për numrin e shitjeve të apartamenteve, megjithatë deri në fund të këtij viti, por edhe në 5 ose 10 vitet e ardhshme, presim një rritje të shitjeve në bregdet, sepse ka shumë interes nga evropianët për të blerë prona në bregdet.”
Vetë Banka e Shqipërisë pranon se ka një numër të kufizuar të raportimeve lidhur me shitjet në përgjithësi dhe treguesit në veçanti, megjithatë, kjo e dhënë shërben si tregues për qendrueshmërinë nga periudha në periudhë.
Ajo që duhet evidentuar është se jo çdo prone i duhet thuajse 1 vit për t’u shitur, për faktin se në zona të caktuara ka shitje që mund të realizohen edhe brenda një orë nga dalja në tregun e shitblerjes së pasurive. Por kjo e dhënë del si rezultat i përllogaritjes së të gjithë pronave të vlefshme dhe mesatarizimit të kohës së shitjes së tyre, duke përfshirë edhe ato prona që duan shumë kohë që të shiten.