Sektori i turizmit është përfshirë në zhvillime të vrullshme në vitet e fundit, prej rritjes së numrit të vizitorëve të huaj. Paralelisht po nxiten edhe aktivitete ekonomike në hallkat e zinxhirit që lidhen me turizmin.
INSTAT raportoi se në vitin 2022, numri i bizneseve që kanë aktivitet kryesor akomodimin ka ardhur në rritje.
Gjatë vitit 2022 rezultojnë 2005 biznese në sektorin e hotelerisë, 372 më shumë se në vitin 2021 me një zgjerim 23 %.
Të dhëna të tërthorta sugjerojnë se sektori i turizmit ka informalitet të lartë. Teksa xhiro e bizneseve në sektorin e turizmit u rrit me shpejtësi vitin e kaluar, kontributi i sektorit në punësimin me pagesë mbeti i pandryshuar.
Sipas anketës së forcave të punës INSTAT raportoi rreth 1.3 milionë persona të punësuar në vitin 2022, por afërsisht 755 mijë raportohen të punësuar me pagë në aktivitetet e biznesit.
Të dhëna zyrtare po nga INSTAT tregojnë se kontributi i sektorit të turizmit në punësimin me pagesë nuk u rrit më 2022. Hotelet dhe restorantet kontribuuan në 5.3% të totalit të punësimit me pagesë në rang vendi me të njëjtën peshë si me 2021.
Shqipëria ka ende një hapësirë të madhe të pashfrytëzuar në tregun e punës e cila mund të përdoret për të ulur deficitet e skemës se pensioneve dhe të sigurimeve shëndetësore. Informaliteti në Shqipëri mbetet shqetësues edhe për biznese dhe persona që veprojnë brenda kontureve të ligjit dhe shfrytëzojnë dobësitë e tij duke krijuar evazion fiskal.
Të dhënat e INSTAT tregojnë se në vitin 2022 ekonomia shqiptare xhiroi rreth 4,5 trilionë lekë. Hotelet dhe restorantet kontribuuan me 11.8 për qind të xhiros totale në ekonomi, nga vetëm 2.3 % në vitin 2021.
Analizat e riskut nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve e kanë targetuar sektorin e turizmit me nivel të lartë të informalitet sidomos në punësim. Sektori i akomodimit ushtron aktivitet ne zezë pasi qindra njësi të vogla shiten në platformat online si “Booking” dhe “Airbnb”, të cilat nuk janë të regjistruara se aktiviteti biznesi në Qendrën Kombëtare të Biznesit.
Psh, të dhënat e tjera të INSTAT tregojnë se në prill hyjnë në vend gjithsej rreth 614 mijë shtetas të huaj, ndërsa gjithsej u shënuan rreth 68 mijë netëqëndrime në strukturat akomoduese. Nga të dhënat rezulton se rreth 11% e turistëve rrinë në hotele të paktën një natë.
Norma e shfrytëzimit të shtretërve të “Hoteleve dhe akomodimeve të ngjashme” është 16,8%, kundrejt 9,4% që ishte në muajin Prill 2022.
Edhe këtë vit Shqipëria është në krye të renditjeve e rekomanduar për tu vizituar nga turistët. Sipas INSTAT, numri i shtetasve të huaj që kanë hyrë në territorin shqiptar në 4-mujorin e parë është 3.64 milionë. Ky numër është rritur me 38.6%, krahasuar me janar-prill 2022 dhe është niveli më i lartë i regjistruar ndonjëherë.
Numri i vizitorëve është rritur me shpejtësi edhe këtë vit, por ndërkohë vendi po përballet me sfidat e mungesës së infrastrukturës , si rrugë pa standarde, transport publik të dobët dhe mbi të gjitha mungesën e profesioneve për të ofruar shërbime cilësore. MONITOR