Bota ka hyrë tashmë prej 4 muajsh në vitin 2024, e ngarkuar me një larmi faktesh sfiduese për t’u përballur dhe analizuar, mes të cilave, pabarazia në të drejtat dhe shëndetin seksual dhe riprodhues, eliminimi i së cilës orienton politikat shëndetësorë të vendeve drejt një analize dhe menaxhimi më të mirë të situatës, në këtë aspekt. “Gjendja e Popullsisë së Botës 2024” (State of World Population-SWOP2024), është raporti i Agjensisë së Kombeve të Bashkuara për Shëndetin Seksual dhe Riprodhues – UNFPA, – analiza më e fundit e progresit në fushën e shëndetit seksual dhe riprodhues, që hedh dritë mes të tjerash edhe mbi disa nga shifrat kyçe për Shqipërinë, ku përmirësimi i shëndetit seksual dhe riprodhues vazhdon të jetë një qëllim i rëndësishëm, duke reflektuar përparimin dhe sfidat në këtë fushë.
Sipas të dhënave të raportuara për vitin 2024, Shqipëria ka një raport të vdekshmërisë amtare prej 8 për 100,000 lindje të gjalla, një tregues i rëndësisë së kujdesit shëndetësor për gratë gjatë shtatzënisë dhe lindjes.
Në Shqipëri, 100% e lindjeve janë të mbikëqyrura nga personel shëndetësor i kualifikuar, përfshirë mjekë, infermiere dhe mami, çfarë dëshmon nivelin e kujdesit shëndetësor në momentin e lindjes, një faktor ndikues në uljen e vdekshmërisë amtare.
Sa i takon përdorimit të metodave të ndryshme për planifikimin familjar në vend, në vitin 2022, prevalenca e kontraceptivëve për gratë në moshën 15-49 vjeç për çdo metodë ishte 33%, ndërsa për metodat moderne ishte 45%.
Një shifër tjetër ilustruese e Raportit është se në vitin 2024, nevoja e paplotësuar për planifikim familjar për gratë në moshën 15-49 vjeç ishte 6%, çka tregon nivelin e nevojës së gruas për shërbime të planifikimit familjar dhe aksesin në kontraceptivë modernë.
Ndërsa progresi është i dukshëm në disa fusha, me rëndësi mbetet adresimi i sfidave për të siguruar që të gjithë qytetarët pjesë e kategorive të ndryshme shoqërore, ekonomike dhe gjeografike, të kenë akses të barabartë në shërbime shëndetësore e në të drejtat seksuale dhe riprodhuese, pasi sipas raportit dallimet midis rajoneve dhe zonave të ndryshme janë evidente.
Për të adresuar këto sfida, sipas shifrave të SWOP2024, 12% e kërkesës për planifikim familjar të grave është e plotësuar me metoda moderne. Në mënyrë të rëndësishme, rreth 16% e grave dhe 12% e grave të martuara ose në bashkëjetesë gëzojnë mbështetje ligjore për aksesin në kujdesin e shëndetit seksual dhe riprodhues, informacion dhe arsim, ndërsa indeksi i mbulimit të shërbimeve të kujdesit shëndetësor universal është 79 për të gjitha gratë dhe 64 për gratë e martuara ose në bashkëjetesë. Këto shifra tregojnë për progres, por edhe për sfida të vazhdueshme në fushën e shëndetit seksual dhe riprodhues në Shqipëri.
Në Shqipëri, përpjekjet për të përmbushur qëllimet e Konferencës Ndërkombëtare për Popullsinë dhe Zhvillimin (ICPD), si pjesë e angazhimeve për të arritur Objektivat për Zhvillim të Qëndrueshëm janë të vazhdueshme në fushën e të drejtave për barazi dhe zhvillim të kapitalit njerëzor.
Raporti SWOP2024 fakton me shifra se në aspektin e marrëdhënieve dhe vendimmarrjes për shëndetin seksual dhe riprodhues dhe të drejtat riprodhuese, 62% e grave kanë marrë vendimet vetë, ndërsa për shëndetin e tyre personal, kjo shifër është 92%. Në marrëdhënie me përdorimin e kontraceptivëve dhe marrëdhëniet seksuale, 83% dhe 77% e grave respektivisht kanë marrë pjesë në vendimmarrje.
Ndërsa në fushën e arsimit, sipas raportit, shkalla e regjistrimit neto total në shkollën 9-vjeçare është 91%, me një indeks barazie gjinore prej 0.95, ndërsa për shkollën e mesme të ulët dhe të lartë, normat e regjistrimit neto total janë 96% dhe 85% respektivisht, me indekse barazie gjinore prej 0.94 dhe 0.96.
Raporti SWOP2024 konkludon se këto të dhëna tregojnë për përpjekjet që po bëhen në Shqipëri për të përmbushur qëllimet e ICPD në fushën e të drejtave të njeriut, barazisë gjinore dhe zhvillimit të kapitalit njerëzor.
SWOP2024 përmbledh një analizë të bërë për mëse 160 vende të botës.