Ekonomi

Shkeljet e bizneseve, dominon mungesa e fiskalizimit dhe punonjësit në të zezë.

Kontrollet në terren të njësive të Tatimeve kanë konstatuar gjatë vitit 2022 si shkelje kryesore mungesën e instalimit të sistemit të fiskalizimit.

Bëhet fjalë për biznese të mëdha dhe të vogla ndërkohë që shkelja e dytë më e hasur është ajo e mosdeklarimit të punonjësve dhe pas saj bizneseve informale të cilat ushtronin aktivitet të paregjistruara. Statistikat e publikuara nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve për janar-dhjetor 2022 lidhur me punën e Drejtorinë e Verifikimit dhe Koordinimit në Terren tregojnë se cilat janë shkeljet që janë hasur më shpesh.

Konkretisht janë 317 tatimpagues të penalizuar për mosinstalim të sistemit të fiskalizimit (130 TP Biznes i madh; 53 TP Biznes i vogël me Tvsh dhe 134 TP Biznes i vogël)

Ndërkohë shkelja e dytë më e hasur është ajo e bizneseve me punonjës në të zezë. Janë 136 tatimpagues janë penalizuar pasi janë konstatuar me punonjës të padeklaruar, nga të cilët 43 subjekte janë të përgjegjësisë tatimore “biznes i madh” dhe 93 subjekte janë të përgjegjësisë tatimore “biznes i vogël”.

Raporti vlerëson se 92 tatimpagues janë penalizuar për moslëshim të faturës tatimore (54 TP biznes i vogël; 6 Biznes i vogël me TVSh dhe 32 TP Biznes i Madh).

Një tjetër shkelje është ajo për mungesën e dokumenteve për mallin e disponuar. Sipas tatimeve janë 110 tatimpagues që dispononin mallra pa dokumentacion tatimor (55 TP Biznes i Madh; 10 Biznes i vogël me TVSh dhe 45 TP Biznes i Madh).

Të paktën 116 subjekte janë gjetur të paregjistruara në organin tatimor duke ushtruar aktivitetin e tyre totalisht në mënyrë informale teksa 29 tatimpagues janë penalizuar pas zhbllokimit si aktivitete të paregjistruar kurse pjesa tjetër rreth 122 shkelje janë të kategorizuara “të tjera” dhe që i përkasin mosrespektimit të legjislacionit tatimor.

Raporti sqaron se Drejtoria e Verifikimit dhe Koordinimit në Terren sipas manualit me Urdhër nr. 19/2 datë 28.4.2020 për çdo kontroll të kryer njofton çdo Drejtori Rajonale Tatimore përkatëse.

Drejtoria e Verifikimit dhe Koordinimit në Terren për çdo përgjigje të ardhur nga ana e DRT-ve, si në formë elektronike ashtu dhe shkresore mban evidencë mbi çdo rezultat të konstatuar nga ana e tyre, ku gjatë vitit 2022 është përfunduar vlerësimi tatimor për 84 Tatimpagues në vlerën totale prej 85.709.970 lekë. Monitor/

Exit mobile version