Sigurime të Detyrueshme

Shpenzimet e kompanive të sigurimit për paga u rritën me 32% vitin e kaluar.

Presionet e tregut të punës u ndien vitin e kaluar edhe në tregun e sigurimeve.

Sipas statistikave të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare (AMF), shpenzimet për paga nga kompanitë e sigurimit të Jo-Jetës arritën në rreth 1.17 miliardë lekë, në rritje me 32.2% krahasuar me një vit më parë.

Në total, shpenzimet e personelit, (duke përfshirë kontributet e sigurimeve, trajnime, shpërblime, etj) prekën vlerën e 1.47 miliardë lekëve, në rritje me 24.8% krahasuar me vitin 2021.

Një rritje e lehtë e shpenzimeve për paga, me 3.6%, u shënua edhe në tregun më të vogël të sigurimit të Jetës.

Në periudhën pas pandemisë, edhe bizneset shqiptare janë përballur me një trysni të lartë për rritjen e pagave, për shkak të rimëkëmbjes së shpejtë ekonomike, emigracionit në rritje mes të rinjve dhe niveleve të larta të qarkullimit të stafit. Kjo trysni u rrit edhe më shumë nga nivelet e lartë të inflacionit që goditën ekonominë vitin e kaluar.

Kësaj tendence nuk i ka shpëtuar as sektori financiar. Përveç sigurimeve, rritje e ndjeshme e shpenzimeve të personelit u regjistrua edhe në sektorin bankar.

Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, shpenzimet e sektorit bankar për personelin u rritën sërish vitin e kaluar dhe kaluan për herë të parë pragun e 13 miliardë lekëve, në rritje me

6.3% krahasuar me një vit më parë. Sipas ekspertëve të sektorit, rritja e shpenzimeve të personelit ka ardhur njëkohësisht nga zgjerimi i punësimit, por edhe nga rritja e pagave.

Vitin e kaluar edhe sektori bankar nisi të përballet me një trysni në rritje nga tregu i punës, sidomos në pozicionet e nivelit të ulët dhe të mesëm. Lëvizjet e mëdha të stafit në këto pozicione dhe i kanë detyruar të rishikojnë në rritje pagat.

Sipas të dhënave nga INSTAT, paga mesatare bruto për një të punësuar në aktivitetet financiare dhe ato të sigurimit vitin e kaluar arriti në 126.777 lekë, në rritje me 12% krahasuar me një vit më parë. Megjithëse sektori financiar ka pagën mesatare më të lartë në ekonominë shqiptare, presionet për rritjen e pagave po bëhen të dukshme edhe në këtë segment.

Sipas të dhënave nga INSTAT, paga mesatare bruto në ekonominë shqiptare në fund të vitit të kaluar arriti në pak më shumë se 66 mijë lekë, në rritje me 10.8% krahasuar me një vit më parë.

Rritja e pagës mesatare po nxitet nga vështirësia në rritje për të siguruar forcë pune të mjaftueshme, por edhe nga masat administrative, si rritja e pagës minimale ligjore./E.Shehu Monitor.

Burimi: AMF

Exit mobile version