Aktualitet

Shqipëri, shtohen problemet e shëndetit mendor tek të rinjtë

Në Shqipëri, ekspertët pohojnë se është në rritje numri i të rinjve me probleme të shëndetit mendor. Psikologët dhe mjekët psikiatër thojnë se sfidat e shoqërisë si dhe krizat e identitetit tek shumë të rinj po shoqërohen me stres dhe shfaqje të problemeve të shëndetit mendor.

Rastet në rritje të problemeve të shëndetit mendor tek të rinjtë, sipas ekspertëve, lidhen me shndërrimet që po pëson vetë shoqëria shqiptare si dhe me fenomenet që shfaqen në jetën e përditshme edhe tek të rinjtë.

Mjeku psikiatër Gjon Preçi thotë se ballafaqimi i të rinjve me streset e jetës së përditshme, emigracioni, përdorimi i substancave narkotike dhe, në veçanti, jeta intensive në rrjetet sociale, po lënë pasoja në shëndetin e tyre mendor.

“Kemi mjaft të rinj që pothuajse bëjnë një jetë virtuale. Gjithë natën rrijnë në rrjetet sociale dhe gjithë ditën flejnë gjumë. Një kundërshti me rritjen biologjike që ka njeriu. Dhe këto janë personat tek të cilët ne shikojmë një stres të vazhdueshëm. Janë shumë vulnerabël dhe shumë të prirur për të zhvilluar një problem të shëndetit mendor, që fillon nga një stres i thjeshtë tek psikozat e mirëfillta”, tregon ai.

Ajo që bie në sy, thotë mjeku Preçi, janë rastet në rritje të të rinjve që kthehen nga emigracioni me probleme të rënduara të shëndetit mendor.

“Personat që na vijnë, pasi kanë kaluar një periudhë ndoshta edhe në burgje dhe i janë nënshtruar një stresi të mirëfilltë dhe të vazhdueshëm, duke tentuar të luftojnë stresin, kanë abuzuar me alkool dhe me droga nga më të ndryshmet”, tregon ai.

Për psikologun Fatjon Taipi problematikat e të rinjve janë të lidhura me sfidat që ka vetë shoqëria. Përballë këtyre sfidave, të rinjtë përpiqen të krijojnë dhe të shpalosin identitetin e tyre, gjë që shpeshherë shoqërohet me shtim të stresit dhe shfaqje të problemeve të shëndetit mendor.

“Të rinjtë, duke qenë se janë në një fazë shumë konfuze të krijimit të identitetit të tyre, shpeshherë ndjekin dy rrugë. E para, është e lidhur me të dhënat e personalitetit të tyre, që mund të krijojnë çrregullime të shëndetit mendor dhe, e dyta, ato identifikohen me grupe sociale dhe aktivitete, të cilat janë të dëmshme për veten e tyre, shoqërinë, por në fund të fundit janë edhe anti-ligjore”, tregon ai.

Në Shqipëri, sipas INSTAT, në vitin 2023, nga grup-mosha 18-29 vjeç janë kryer 10.472 krime ose 26.5 përqind e të gjithë krimeve të kryera në Shqipëri. Ndërsa në burg kanë përfunduar 1758 të rinj të kësaj moshe, me një rritje 203 të rinj më shumë se në vitin 2022. Këto raste, sipas ekspertëve, më së shumti shoqërohen me çrregullime të shëndetit mendor.

Programi “Nxitja e aksesit në mbështetjen e shëndetit mendor për të rinjtë”, i cili zbatohet me partnerët nga Franca, Maqedonia e Veriut, Polonia, Qipro, dhe Greqia, tregon se jo rrallë ka keqkuptime për problemet e shëndetit mendor tek të rinjtë, thotë koordinatorja e këtij programi Klodiana Serraj.

“Në Shqipëri është ende tabu të flasësh për shëndetin mendor, sepse trajtohet si një keqkuptim duke u nisur edhe nga klishetë, shoqëria ku jemi rritur. Në fakt, shëndeti mendor është një sëmundje normale, si çdo sëmundje tjetër”.

Për mjekun psikiatër Gjon Preçi nuk është i vështirë diagnostikimi i problemeve të shëndetit mendor. Por, trajtimi i rasteve, thotë ai, është i vështirë dhe zgjat në kohë.

“ Mundësia është e kufizuar për shkak të situatës, që është komplekse në shoqërinë tonë. Aksesi që kanë familjarët për të marrë shërbime nga periferia, nga zonat e largëta, pamundësia për lëvizje, shërbimet e kufizuara në zonë, etj. Dhe kjo e bën shumë kompleks problemin dhe me një perspektivë jo të mirë”.

Sipas hulumtimeve të ekspertëve të UNICEF deri në 20 përqind e adoleshentëve në mbarë botën përjetojnë çrregullime mendore dhe se tre nga katër problemet e shëndetit mendor të të rriturve fillojnë në fëmijëri dhe adoleshencë”.

VOA

Exit mobile version