Aktualitet

Shqiptarët nuk i “ndahen” kafesë!

Të rinjtë, të moshuarit, burra dhe gra, por edhe fëmijë, shqiptarët dhe turistët e shumtë që vizituan vendin gjatë tetë muajve të parë të vitit, duket se janë gjithnjë e më shumë të prirur që kontakti me kafen të bëhet një pjesë e pandashme e rutinës së tyre ditore.

Sipas të dhënave të Ministrisë së Financave, gjatë periudhës janar-gusht, importi i kafes arriti në 5610 ton, ose 5 milionë e 610 mijë kilogramë. Sipas disa analizave që janë bërë në fushën e banakierit nëpër bare dhe restorante tregojnë se, mesatarisht një kilogram kafe arrin të prodhojë rreth 110 ekspresë, të cilat mund të jenë edhe në forma të tjera se kapuçino, makiato apo variacione të tjera të lidhura me këtë produktin fillestar.

Duke llogaritur këto të dhëna, mesatarisht çdo shqiptar, pavarësisht moshës, ka konsumuar rreth 257 kafe gjatë këtyre tetë muajve, ose pije që përmbajnë kafe, e cila kryesisht importohet nga Brazili.

Nëse e marrim parasysh këtë informacion në një periudhë 24-orëshe, rezulton se shqiptarët e kanë të pamundur të kalojnë ditën pa konsumuar të paktën një kafe. Kjo tendencë tregon jo vetëm dashurinë e thellë për këtë produkt, por edhe rolin e rëndësishëm që kafeja luan në kulturën dhe jetën e përditshme të shqiptarëve

Exit mobile version