Parkut të Liqenit të Farkës po i shtohet gjithnjë e më shumë gjelbërimi falë mbjelljes së vazhdueshme të pemëve. Kryebashkiaku Erion Veliaj dhe Ambasadorja e Greqisë në Shqipëri mbollën pemët e radhës te “Parku Helen”.
“E filluam me diçka shumë simbolike, siç ishte ‘Parku Helen’, por jam shumë krenar që ambasadat dhe shumë donatorë po i bashkohen nismës tonë. Sot mbjellim 25 pemë për 25 vjetorin, jeni ende shumë të rinj. Faleminderit shumë për 25 lopatat. E di që edhe gjatë fushatës u bë ky debat: Jo, po ku janë pemët, jo andej po këtej! Ata që kanë kontribuar, njëri 25, dikush 30, një tjetër 100, tjetri 1000, apo dikush vetëm 1 pemë për ditëlindjen e fëmijës së tij, ata e dinë.”
Ambasadorja greke Kamitsi u shpreh se Greqia do jetë gjithmone në mbeshtetje të vendit tonë.
“Greqia është pranë Shqipërisë dhe e mbështet atë jo vetëm financiarisht, por edhe në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Që nga viti 2003 me axhendën e Selanikut dhe deri më sot, Greqia ka qenë një partner në krah të Shqipërisë që mbështet rrugën e saj të anëtarësimit me çdo mënyrë dhe do të vazhdojmë ta bëjmë këtë.”
Liqeni i Farkës konsiderohet si mushkëria e dytë e kryeqytetit, pas Liqenit Artificial.