Dermatologia në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” në Tiranë, Violeta Dajçi, ka njoftuar se në Shqipëri janë raportuar raste të infektuara me skabies.
Problemi është te rezistenca në trajtim, në mjekim. Kjo është vështirësia që po hasim neve sot që besoj e kanë edhe mjekët në Kosovë. Është më e vështirë të trajtohet ky lloj paraziti. Ky variant që qarkullon tani në Shqipëri. Rastet ka, rastet janë, ndoshta duken në numër të shtuar. Nuk ka statistika të sakta, ose nuk ka një studim. Derisa rastet janë sporadike, nuk kemi vatra, nuk kemi shkolla ku ka një numër të caktuar që të themi që duhet të trajtohen ose ambiente të tjera ku ka shumë persona bashkë…Derisa nuk ka një numër të shtuar në këto ambiente të përbashkëta ku ka më shumë persona që qëndrojnë nuk themi dot që është një gjende alarmante. Por, a ka raste me skabies, ka. Ka pasur edhe më përpara dhe do të ketë gjithmonë, thotë Dajçi.
Sipas përvojës së saj me pacientët, Dajçi thekson se burimi i përhapjes së skabiesit është Europa. Ndërkohë, ajo thekson se në QSUNT nuk hospitalizohet asnjë rast me zgjebe, pasi sipas saj, një gjë e tillë është e gabuar.
Ky lloj paraziti, kjo sëmundje është e ardhur kryesisht nga vendet e Evropës. Sepse të gjithë pacientët referojnë në një farë mënyre se ju ka ardhur një fëmijë nga jashtë, nga Italia kryesisht, Anglia. Nuk trajtohet më me këtë trajtimin klasik që neve e përdornim me pomada me squfur në një kohë ta caktuar, larjen e dezinfektimin e rrobave dhe ambientit. Kërkon një mjekim më të zgjedhur, të shtrirë në kohë. Duke kombinuar tipet e ndryshme të kremrave që ne disponojmë…Kjo nuk është një patologji që trajtohet në spitale. Është gabim të hospitalizohen, sepse çdo pacient duhet të trajtohet ambulatorisht apo në kushte shtëpie, thekson Dajçi.
Zgjeba është një sëmundje e lëkurës e cila shkaktohet nga një parazit, i cili provokon një reaksion mbrojtës nga ana e organizmit, të manifestuar me puçrra të kuqe në lëkurë, që pasojnë me kruarje.