Më 2 tetor nis viti i ri akademik 2023-2024 dhe përveç emocioneve, ata përballen me stresin e ndërtimit të një jete të re. Materiali në vijim na njeh me shqetësimet e një studenti të ri, nga gjetja e një shtëpie me qira te përshtatja me shoqërinë e re. Ndërkohë, një mundësi akomodimi me më pak shpenzime janë konviktet, regjistrimet për të cilat nisin nga 4 shtatori. Një eksperiencë e paprovuar kurrë më parë si jeta studentore pritet me emocione të ndryshme nga të rinjtë që do të nisin studimet e larta.
“Pak stresuese, por do ambientohemi, do të mësohemi, shoqëri e re…”, thotë një studente.
“Nuk e kam problem se jam tip i afrueshëm vetë“, thotë një tjetër student.
Një pjesë e mirë e studentëve, do të akomodohen në konvikte.
“Do regjistrohem në konvikt. Më duket një zgjidhje më e mirë. E kam dhe afër shkollës”.
37 konvikte në kryeqytet janë gati për të pritur studentët e universiteteve të Tiranës dhe regjistrimet nisin të hënën e 4 shtatorit fizikisht ose nëpërmjet platformës online në faqen Qytetistudenti@Tirana.al.
Anila Shehu drejtoresha e konvikteve ne Qytetin Studenti tregon më shumë rreth kushteve të godinave studentore dhe kritereve të regjistrimit.
“Qyteti Studenti ka në dispozicion të studentëve, 8 konvikte në total që janë të ndara 4 te inxhinieria e ndërtimit, 4 tek Mjekësia dhe 7 konvikte për studentët që do të ndjekin studimet në Universitetin Bujqësor. Mjafton të jesh student , ti hyn në një aplikacion online të cilin ne e kemi shpallur. Studenti për 2 minuta mund të zgjedh konviktin e dëshiruar , dhomën e dëshiruar he grupin shoqëror me të cilin do ta ndaj këtë dhomë. Në përfundim të këtij procesi ka një afat kohor prej disa ditësh të kryej tarifën e përcaktuar prej 55 mijë lekësh të vjetra në muaj. Pagesa është mujore, por studenti mund të zgjedh ta paguaj me këste. Kjo është një sallë me kompjutera e pajisur me wifi falas ku çdo student është i lirë të navigojë në internet. Kjo është një dhomë tipike e cila është për dy persona të cilët ndajnë dhomën me njëri- tjetrin”, tha Shehu.
Për të gjitha ata që kërkojnë kushte më të mira akomodimi, një zgjidhje është marrja e një banese me qira, pavarësisht se çmimet janë shumë të larta.
“Në kërkim të një shtëpie me qira jam. Çmimet i kam parë. Nuk janë shumë të lira”, tha studenti Xhorxho Neviri.
Ky student nga Lezha edhe pse me një distancë të konsiderueshme nga Tirana po mendon që për ndjekjen e universitetit në Tiranë, ta bëjë rrugën çdo ditë vajtje-ardhje për t’u mos shkëputur nga familja.
“Nga Lezha në Tiranë 250 lekë kushton bileta. Më mirë të jetoj afër familjes sesa të jetoj vetëm.”
Sipas agjencive imobilare, qiraja mujore e një shtëpie në periferi të Tiranës i kalon 350 euro, ndërsa brenda unazës variojnë deri në 1 mijë euro në muaj.