Ekonomi

Sigurimi i përgjegjësive të ndërtuesit, për herë të parë në rënie

Produkti i sigurimit të përgjegjësisë së ndërtuesit këtë vit po shënon për herë të parë rënie.

Të dhënat nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF) tregojnë se për katër muajt e parë të vitit, primet e shkruara bruto në këtë produkt arritën vlerën e 159 milionë lekëve, në rënie me 12.4% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Sigurimi i përgjegjësisë së ndërtuesit për objektet e ndërtuara u bë efektiv në fund të vitit 2019 dhe në tre vitet e fundit ka reflektuar dinamikën e tregut të pasurive të paluajtshme.

Çdo transaksion shitjeje i pasurive të paluajtshme, duhet të shoqërohet edhe me kontratën e sigurimit të përgjegjësisë së ndërtuesit, si pjesë e dokumentacionit të kërkuar nga Agjencia e Kadastrës për regjistrimin e kalimit të pronësisë. Rënia e primeve nga ky sigurim mund të jetë një sinjal se tregu i pronave po shfaq sinjale ngadalësimi, pas rritjes me ritme të larta në periudhën pas pandemisë.

Të dhënat e tremujorit të parë të këtij viti treguan se numri i lejeve të ndërtimit në nivel kombëtar vazhdoi rritjen, i ndikuar kryesisht nga qarku i Durrësit; por, në veçanti për Tiranën u shënua një rënie e ndjeshme, pas një rritjeje të vazhdueshme disavjeçare.

Në bazë të kontratës së sigurimit për përgjegjësinë e ndërtuesit, shoqëria e sigurimit merr përsipër të dëmshpërblejë në favor të të siguruarit dëmet e ndodhura drejtpërdrejtë dhe dëmet ndaj të tretëve, të shkaktuara nga shembja tërësore ose pjesore e ndërtesës, ose kur ndërtesa paraqet rrezik të dukshëm shembjeje, ose defekte të tjera të rënda, që ndodhin si pasojë e problemeve të lidhura me tokën mbi të cilën është kryer ndërtimi, ose për shkak të një apo disa defekteve të ndërtimit.

Produkti nuk ofron mbrojtje në rast të dëmtimeve të ndodhur nga fatkeqësitë natyrore dhe ku nuk mund të provohet përgjegjësia e ndërtuesit, ndaj nuk duhet kuptuar si sigurim që të mbron nga katastrofat. Limiti i përgjegjësisë së kontratës së sigurimit nuk duhet të jetë më i ulët se vlera totale e çmimit të shitjes të përcaktuar në kontratën e kalimit të pronësisë së pasurisë së paluajtshme, ndërsa tarifa vjetore e primit të sigurimit nuk mund të jetë më e ulët se 0.1% e limitit të përgjegjësisë.

Në terma konkretë, nëse një pronë shitet me një çmim 100 mijë euro, ndërtuesi duhet të paguajë gjithsej 1 mijë euro për sigurimin e saj gjatë një periudhe 10 vjeçare. Megjithëse ligji ia ngarkon këtë sigurim si detyrim ligjor ndërtuesve, në praktikë ata ia kanë transferuar primin blerësve të pasurive të paluajtshme, duke krijuar një barrë shtesë për ta.

Shifrat e AMF tregojnë se edhe këtë vit tregu i këtij produkti po kryesohet nga kompania Albsig, me 43% të primeve të shkruara bruto, por në rënie të ndjeshme nga niveli prej 58% i një viti më parë).

Vijon Sigal Uniqa Group Austria, me 23% të primeve të shkruara bruto (nga 21% një vit më parë), e ndjekur nga Eurosig me 14% (nga 5% një vit më parë) dhe Insig me 12% (nga 9% një vit më parë) të vlerës së primeve të shkruara bruto.

Kompanitë e tjera mbajnë pjesë të vogël tregu. Disa prej tyre janë treguar të rezervuara me këtë produkt, duke aluduar se me të po bëhet konkurrencë e pandershme, duke dhënë komisione shitjeje shumë të larta./E.Shehu Monitor

Exit mobile version