Drejtoresha e INSTAT Elsa Dhuli ka dhënë më shumë detaje sot sa i takon Censit të 12-të të Popullsisë dhe Banesave në vendin tonë.
Ajo u shpreh se ky aktivitet statistikor është një e mirë publike që do t’u shërbejë të gjithë sektorëve.
“Ky është Censi i 12-të, ,më i fundit ishte ai i vitit 2011, e tashmë ky i vitit 2023 që ndjek rekomandimet e Kombeve të Bashkuara dhe të Komisionit Europian. Përse ka fokus një aktiviteti statistikor? Ky aktivitet me rëndësi jo vetëm për të ofruar informacione për vendimarrësit dhe hartuesit e politikave, bazuar në shifra, por edhe për vetë lehtësimin që do krijojë në rezultatet e prodhuara nga ky aktivitet për një planifikim më të mirë, për kopshtet, shkollat, spitalet, parqet, rrugët e të tjera. Do lehtësojë komunitetin e biznesit për vendimmarrje mbi planet e tyre zhvillimore, do të jetë një bazë për krijimin e regjistrave statistikorë të rezidentëve në ven, të ndërtesave dhe banesave dhe kjo për faktin që Censi i radhës të mos realizohet më derë më derë, por të bazohet në regjistra administrativë. Së fundi dhe më e rëndësishmja: Është një e mirë publike për të gjithë komunitetin tonë.”
Por, çfarë do të ofrojë ky Cens? Dhuli thekson se do të grumbullohen të dhëna për numrin e saktë të popullsisë në Shqipëri, numrin e banesave, të dhëna për punësimin, strehimin etj.
“Do të ofrohen të dhëna për popullsinë rezidente, mbi karakteristikat demografike, sociale, ekonomike në nivelin më të detajuar gjeografik. Do të ofrojë të dhëna për të vlerësuar ndryshimet e popullsisë, të dhëna për strehimin, shëndetësinë, punësimin e të tjera. Ky aktivitet nuk mund të realizohet pa rekrutimin e një armate të madhe e cila janë baza jonë kryesore për monitorimin e këtij aktiviteti.”
Për të mbledhur këto të dhëna janë trajnuar 7500 persona, të cilët sipas Drejtoreshës së INSTAT do shkojnë derë me derë me tablet në dorë për të bërë pyetjet e përgatitura.
“Pjesë e skuadrës tonë janë 7500 persona, 5240 mijë anketues që do të trokasin derë më derë,
do të montirohet procesi i tyre, jo vetëm në terren, por edhe nga ana teknologjike. Nuk dilet në terren pa një trajnim të mirëfilltë, për 6 javë kemi trajnuar 7500 persona që të dinë të përdorin tabletin, të dinë si të komunikojnë, të dinë përmbajtjen e pyetësorit. Do të pyesim për ndërtesën, njësitë ekonomike, për individin, vizitorët dhe të larguarit. Grumbullimi do kryhet me pajisje elektronike, por siguria që ofron INSTAT është se të dhënat individuale do të mbrohen sipas legjislacionit dhe patjetër në fund do të shpërndahen në mënyrë të agreguar.”