Qytetarët evropianë do të duhet të plotësojnë një formular dhe të paguajnë një shumë parash për të vizituar ose për të kaluar qoftë edhe një ditë të vetme në Mbretërinë e Bashkuar.
Qeveria britanike njoftoi një tjetër masë që vjen pas procesi Brexit, pra daljes së Britanisë nga Bashkimi Evropian.
Kjo procedurë kujton dokumentacionin amerikan “Esta” që u nevojitet turistëve dhe udhëtarëve të tjerë të huaj për të hyrë në Shtetet e Bashkuara.
Të njëjtin shembull do të ndjek edhe Londra. Dokumentacioni i detyrueshëm për në kufirin e Britanisë së Madhe do të quhet ETA.
Ashtu si ESTA amerikane, ETA britanike do të jetë një formular elektronik që çdo udhëtar do të duhet të plotësojë përpara se të udhëtojë, duke ofruar të dhëna biometrike dhe duke iu përgjigjur disa pyetjeve.
Siç ndodh me Shtetet e Bashkuara, qytetarët e BE do të duhet të paguajnë një “shumë parash e cila ende nuk është bërë me dije nga qeveria britanike dhe do të jetë e vlefshme për dy vjet”.
Regjimi i ri, i cili padyshim nuk zbatohet për evropianët që banojnë ligjërisht në Mbretërinë e Bashkuar do të hyjë në fuqi për turistët dhe udhëtarët nga e gjithë bota në vitin 2024.