Aktualitet

Të divorcuarit probleme me detyrimet financiare, nuk paguajnë për fëmijët.Shkak, pamundësia financiare dhe emigracioni

Divorcet janë në rritje e bashkë me to rriten edhe problemet që lë pas ky fenomen. Detyrimi i pagesave të pensionit ushqimor për fëmijët, mbetet problemi kryesor.

Një audit i realizuar nga Kontrolli i Lartë i Shtetit zbulon se gjatë një viti afro 4,100 prindër të divorcuar nuk i paguajnë detyrimet financiare.

Të dhënat tregojnë se çështja e pagesave të pensionit ushqimor zë numrin më të lartë të vendimeve gjyqësore për t’u ekzekutuar nga zyrat përmbarimore. Nga 9500 çështje, 86% e tyre kanë në fokus detyrimet financiare për fëmijët, siç rezulton nga auditi i kryer në 9 nga 22 zyrat përmbarimore në vend.

Pamundësitë paguese dhe emigracioni shihen si shkaktarët kryesorë të mospagesës së detyrimeve.

“8117 çështje “pension ushqimor” janë në ekzekutim të vazhdueshëm, nga të cilat në 2740 nuk shlyhet detyrimi për pamundësi paguese nga ana e debitorit. Gjithashtu, një tjetër problem i hasur në praktikën përmbarimore rezulton edhe emigrimi i shumë debitorëve të cilët duke qenë larg, nuk paguajnë detyrimin ushqimor dhe nuk u rezulton pasuri e sekuestrueshme”.

Raporti thotë se gjatë një viti afro 57 mijë çështje duhet të ekzekutohen nga zyrat përmbarimore, përfshirë pensionet ushqimore dhe takimet me fëmijët, të cilat janë në ekzekutim të vazhdueshëm.

Pothuajse çdo vit në gjykatë regjistrohen 2 mijë raste të reja me kërkesë për zgjidhje martese. Viti 2021 mban edhe numrin rekord të kërkesave për zgjidhje martese, me afro 11 mijë të tilla.

Exit mobile version