Në çdo 4 banesa të shitura gjatë gjashtëmujorit të parë në vendin tonë, një prej tyre është blerë nga shtetas të huaj.
Ky është konstatimi që bën një vrojtim i Bankës së Shqipërisë lidhur me tregun e pasurive të paluajtshme në vendin tonë, ku theksohet se 27 përqind e shtëpive të shitura gjatë kësaj periudhe janë blerë nga shtetas jorezidentë, nga të cilët rreth 61% rezultojnë të jenë shtetas të vendeve të BE-së.
Gjithsesi Banka e Shqipërisë konstaton se numri total i pronave të shitura nga janari në qershor pësoi rënie krahasuar kjo me një gjashtë mujor më parë.
Rreth 53% e pronave për banim dhe e atyre për përdorim tregtar të shitura prej agjentëve janë blerë me hua bankare. Nga këto, në 65% të rasteve, kredia ka mbuluar deri në 60% të vlerës.
Koha mesatare e shitjes së banesave në rang vendi gjatë periudhës që përfshin vrojtimi ra shumë lehtë në 10.5 muaj nga 10.9 muaj në vrojtimin e mëparshëm.
Për Tiranën, koha mesatare e shitjes është rritur lehtë, në 9.7 nga 8.3 muaj. Ndryshe ndodh në zonat bregdetare ku koha mesatare për shitjet është shkurtuar ndjeshëm në 5.9 nga 10.9 muaj.
Indeksi Fischer i çmimit të banesave në rang vendi shënoi rritje të ndjeshme me 16.9% në krahasim me gjashtëmujorin e kaluar dhe me 8% ndaj një viti më parë. Rritjen më të madhe indeksi i çmimit e shënoi në kryeqytet me 23.5.
Agjentët raportojnë rritje të kërkesës për qiramarrje, si për banesa, ashtu edhe për prona tregtare, dhe çmimet e qirasë kanë shënuar rritje.
Për gjashtëmujorin e ardhshëm, agjentët presin rritje të çmimeve dhe rritje të numrit të pronave të regjistruara për shitje.