Ekonomi

Të pasurit po bëhen më të pasur/ Dhjetë depozituesit më të mëdhenj kanë 917 milionë euro në banka

Pesha e depozituesve të mëdhenj ndaj totalit të depozitave bankare shënoi përsëri një rritje të lehtë vitin e kaluar.

Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, në fund të vitit 2022, dhjetë depozituesit më të mëdhenj në fund të vitit zotëronin 6.9% të totalit të depozitave bankare, nga 6.8% që kishte qenë ky tregues një vit më parë.

Një tendencë e ngjashme vërehet edhe për grupet e tjera të depozituesve të mëdhenj.

20 depozituesit më të mëdhenj në fund të vitit të kaluar zotëronin 9.1% të depozitave, kundrejt 9% në vitin 2020. Ndërsa 50 depozituesit e mëdhenj mbanin 12.3% të totalit të depozitave, nga 12.2% që kishin një vit më parë.

Pesha e depozituesve më të mëdhenj ndiqet dhe raportohet nga Banka e Shqipërisë për qëllime të monitorimit të përqendrimit të depozitave bankare.

Megjithëse informacioni i bankës qendrore nuk i ndan depozituesit sipas kategorisë, besohet se në shumicën e tyre bëhet fjalë për biznese.

6.9% e depozitave totale në fund të vitit 2022 do të përkthehej në një vlerë prej rreth 104.7 miliardë lekë ose rreth 917 milionë eurosh (me kursin e fundit të vitit 2022) në llogaritë e 10 depozituesve. Në fund të vitit 2021, depozitat e zotëruar nga 10 depozituesit më të mëdhenj kishin qenë rreth 97.3 miliardë lekë.

Kjo tregon se në vlerë absolute gjendja e depozitave të 10 depozituesve më të mëdhenj u rrit me 7.4 miliardë lekë ose 7.6% vitin e kaluar.

Vlera e depozitave bankare të 20 depozituesve më të mëdhenj në fund të vitit 2022 llogaritej në afërsisht 138.1 miliardë lekë, në rritje me 7.2% krahasuar me një vit më parë.

Për 50 depozituesit më të mëdhenj, vlera e depozitave bankare totale llogaritet në rreth 186.7 miliardë lekë, në rritje me 6.9% krahasuar me një vit më parë.

Sipas Bankës së Shqipërisë, në fund të vitit 2022 depozitat bankare ato kishin vlerën e 1.52 trilionë lekëve, në rritje me 5.9% më shumë krahasuar me një vit më parë. Ritmet e rritjes u ngadalësuan ndjeshëm krahasuar me vitin 2021, kur rritja kishte qenë pothuajse 11%.

Ngadalësimi i rritjes erdhi si rezultat i inflacionit të lartë, konkurrencës në rritje nga bonot dhe obligacionet qeveritare, por edhe nga efekti statistikor i forcimit të Lekut në kursin e këmbimit.

Megjithëse depozitat e individëve ngelen dominuese, me pothuajse 80% të totalit, në dy vitet e fundit po vërehet një rritje me ritme më të larta e depozitave të biznesit.

Edhe vitin e kaluar depozitat në segmentin e biznesit shënuan rritje më të shpejtë krahasuar me atë të individëve. Depozitat e bizneseve vitin e kaluar u rritën me 8.9%, ndërsa ato të individëve me 5.2%. /Monitor

Exit mobile version