Për të tretin vit radhazi, provimet e maturës shtetërore kanë treguar se të rinjtë flasin më mirë gjuhët e huaja se sa atë shqipe.
Ekspertët e arsimit thonë se gjithmonë e më shumë në universitete vërehet se studentët kanë vështirësi të shkruajnë ese apo shkrime akademike, për shkak të njohurive të cunguara që kanë në gjuhën shqipe.
”Kjo duhet të shërbejë si një kambanë alarmi të nxisim fëmijët të flasin, të artikulojnë, të shkrujanë, të lexojnë. Për mua nuk është shqetësuese që nuk kemi shumë 10, por fakti që të rinjtë po harrojnë të flasin saktë gjuhën shqipe”, thotë Irida Sina, eksperte arsimi.
Gjithçka nis në fëmijëri; mungesa e komunikimit dhe qëndrimi për orë në rrjete sociale po çon në zbehjen e gjuhën shqipe.
“Një impakt shumë të madh e kanë që ata kalojnë një kohë të gjatë në rrjetet sociale dhe kalojnë kohë të shkurtër duke komunikuar me njëri-tjetrin. Duke ndenjur kaq kohë në rrjetet sociale dhe ato që shohin janë në anglisht, kjo bën që gjuha shqipe të zbehet dhe fjalori do jetë gjithmonë me fjalë më të pakta. Ne e shohim tek klasat e para që kanë vështirësi të formojnë fjali të përbëra”, shprehet ekspertja.
Gjuha e huaj, dhe kryesisht anglishtja, po iu shërben të rinjve që zgjedhin universitete jashtë Shqipërisë. Dhe sipas ekspertëve të arsimit, kjo është dhe një shtysë që të rinjtë e marrin në rastet kur duan të zhvillojnë karrierën e tyre jashtë vendit.