Aktualitet

Të rinjtë ikin dhe po blejnë më pak online

Blerjet online janë kthyer në një formë komode të sigurimit të mallrave apo shërbimeve në të gjithë botën, sidomos tek të rinjtë. Por, në Shqipëri, tek të rinjtë shqiptarë është kontratuar një ulje e interesit për të bërë blerje përmes kompjuterit. Në të kunërt, sigurimi i produkteve të ndryshme nga ekrani po bëhet një alternativë më e përdorshme për grup moshat më të mëdha. Sipas të dhënave të INSTAT, në vitin 2022, rreth 26% e grup moshës nga 16-24 vjeç raportoi se kishte bërë blerje online gjatë tre muajve të fundit. Në raport me vitin e mëparshëm, ka një rënie të ndjeshme me 8.4 pikë përqindje (shiko grafikun: Shpërndarja e individëve në përdorimin e TIK, blerjet online gjatë tre muajve të fundit). Aktorët e tregut pohojnë se kjo rënie e peshës së të rinjve është e lidhur dhe me emigracionin e lartë që ka përfshirë moshat e reja, që po e ndikon dukshëm konsumin në të gjitha fushat. Grup mosha 25-34 vjeç raportoi të kishte kryer 36.6% të blerjeve online në 2022, pothuajse në të njëjtën peshë si vitin e mëparshëm. Më shumë po e përdorin internetin për të blerë edhe grup moshat 35-44 vjeç (20.6%, me rritje 4 pikë përqindje) dhe ato mbi 45 vjeç.Në krahasim me vendet e tjera të Europës, Shqipëria ka normën më të ulët të blerjeve nga ekrani i kompjuterit, apo telefonit celular. Të dhënat e fundit të Eurostat, që i referohen vitit 2021 tregojnë se vetëm 21% e shqiptarëve që kanë përdorur internetin 12 muajt e fundit kanë bërë blerje online për periudhën përkatëse, shumë më e ulët sesa mesatarja europiane prej 74%. Nga rajoni më mirë renditet Serbia, me 52.9%, e ndjekur nga Kosova, që i ka të dhënat për vitin 2020, me 47.7%, Maqedonia e Veriut me 46.3%, Bosnjë Hercegovina, me 39%, ndërsa Mali i Zi është i parafundit përpara Shqipërisë, me 31.8%. Valer Pinderi, drejtues i Netrade sh.p.k., drejtues i Shoqatës Shqiptare të Tregtisë Online ka pohuar më herët për Monitor se problematika më e madhe e tregut lidhte me mungesën e e investimeve. Nëse nuk ngrihen standarde, nëse nuk përmirësohet infrastruktura, atëherë cilësia e ofruar do të jetë e vogël dhe si pasojë, konsumatori nuk do ta zgjedhë si mënyrë të re të blerjeve të tyre. Problematika tjetër lidhet me informalitetin, politikat e ndjekura për të luftuar formalitetin jo vetëm që nuk janë efektive, por po japin rezultatet e kundërta, pohon ai. Informaliteti nuk mund të zgjidhet me sulme të rralla agresive ndaj shitësve fundorë, kur distributorët dhe doganat i detyrojnë këta shitës të jenë informalë.

Monitor

Exit mobile version