Aktualitet

Të vetëpunësuarit shmangin sigurimet, vetëm 54% e tyre paguajnë kontribute.

Të vetëpunësuarit zënë 30% të totalit të të punësuarve në vendin tonë.

Të dhënat e anketës së forcës së punës të hartuar nga Instat, tregojnë se në tremujorin e fundit të vitit 2023 ishin të punësuar gjithsej 1,324,773 persona, ku mbi 397 mijë ishin të vetëpunësuar.

Por ajo çfarë bie në sy është se vetëm 215 mijë kishin paguar sigurime shoqërore.

Nisur nga ky fakt ekspertët ngrenë shqetësimin se shumica e tyre nuk paguajnë sigurime shoqërore, duke investuar në varfërinë e tyre në moshën e pensionit.

Krahasimi i të dhënave tregon se vetëm 54% e të vetëpunësuarve paguajnë sigurime. Në një kohë që të vetëpunësuarit zënë 30% të punësimit në vend, në peshën e sigurimeve zënë 16% të totalit të kontribuesve në vitin 2023.

Institucionet Financiare Ndërkombëtare kanë këshilluar qeverinë shqiptare që të forcojë masat rregullatore për përfshirjen e të vetëpunësuarve në skemën e sigurimeve, në mënyrë që të shmangen problemet sociale që kjo shtresë mund të ketë në moshën e pensionit.

Shqipëria renditet ndër vendet me peshën më të madhe të vetëpunësimit në Europë, ku popullsia në moshë pune vetë-angazhohet në biznese familjare si tregtia, shërbimet apo zanatet.

Pjesa më e madhe e të vetëpunësuarve në vend janë me arsim të ulët. Meshkujt janë më të prirur të kenë sipërmarrjet e tyre, ndërsa sa i takon moshës, përqindja më e lartë e vetëpunësimit rezulton te personat që janë mbi 65 vjeç.

Exit mobile version