Katër njësi administrative të Tiranës janë audituar nga Kontrolli i Lartë i Shtetit ku në fokus ka qenë procesi i akteve të marrjes në pronësi të tokës bujqësore dhe problematikat e gjetura janë të ngjashme.
Njësitë në fjalë janë rrethina të Tiranës disa prej tyre mjaft të lakmuara edhe për hir të projekteve dhe zhvillimit që kanë marrë këto rajone ku po ndërtohen njësi banimi kryesisht vila por jo vetëm.
Por cilat janë në fakt këto njësi dhe problemet tipike që ka hasur KLSH-ja sa i takon aktit të marrjes së tokës në pronësi për atë bujqësore. Njësitë administrative janë Petrela, Dajti, Zall Her dhe Farka. Problematikat e konstatuara në proces janë të ngjashme në shumicën prej tyre.
Kështu sipas KLSH në shumicën e njësive janë konstatuar raste të pasurive të përftuara me anë të Akteve të Marrjes së Tokës në Pronësi (AMTP-të) që bien mbi pasuri “pyll”, që do të thotë se nga Njësia Administrative respektive, është pranuar kërkesa, për dërgimin e AMTP-së për regjistrim, pa shqyrtuar vlefshmërinë tekniko-ligjore të titullit të pronësisë të krijuar mbi tokën bujqësore, (AMTP-së) pa verifikuar dhe shqyrtuar dokumentacionin kadastral që disponon Njësia Administrative.
Në një tjetër pjesë të rasteve konstatohet se nga, nga ish-komisioni i ndarjes së tokës në fshat janë pajisur familjet bujqësore me tokë bujqësore për normë për frymë më shumë se sa është përcaktuar norma për frymë, bazuar në certifikatën familjare datë 01.8.1991 dhe datë 01.10.1992.
Audituesit kanë konstatuar gjithashtu se në raste të tjera, përfituesi i AMTP-së nuk ka qenë i legjitimuar për të përfituar tokë bujqësore sipas akteve ligjore e nënligjore për ndarjen e tokës bujqësore, bazuar në certifikatën e gjendjes familjare të administruar në dosje.
Po kështu janë evidentuar raste kur plani i rilevimit i hartuar nga eksperti gjeodet i licencuar, nuk përmbush standardet teknike të përcaktuara në aktet nënligjore të dala në zbatim të ligjit nr. 72/2012, “Për organizimin dhe funksionimin e infrastrukturës kombëtare të informacionit gjeohapësinor në RSH”.
Raporti vlerëson se në disa njësi administrative, nga ana e specialistit të ZAMIT-t të Njësisë Administrative Farkë nuk është verifikuar pasuria në terren por është referuar plan-rilevimit i përgatitur nga topografi me licencë, ku ky i fundit i është nuk ka saktësuar pasurisë sipas terrenit, por është referuar hartës kadastrale të DV ASHK.
Një rast tjetër është ai kur është plotësuar AMTP “Dublikatë” nga Njësia Administrative dhe e dërguar direk për regjistrim pa u miratuar më parë nga Sektori i AMTP-së pranë Bashkisë Tiranë.
KLSH vlerëson se në të gjitha rastet, në dosje mungon i administruar vërtetimi për shlyerjen e pagesës së taksës së tokës bujqësore. Monitor.