Tregu financiar shqiptar, në dekadën e fundit, ka shfaqur një lloj dinamizmi në strukturën e tij, për arsye të ndryshme. Në tregun bankar, është vërejtur një tendencë konsolidimi dhe ulje e numrit të aktorëve në treg, shoqëruar me uljen e ndikimit të grupeve bankare të Eurozonës dhe me rritjen e peshës së kapitalit vendas.
Zhvillime në strukturë kanë shënuar edhe tregjet financiare jobankare. Në dekadën e fundit, tregu i fondeve të investimit dhe të pensioneve është zgjeruar në volum dhe në numrin e aktorëve që marrin pjesë. Tendencë zhvillimi po shfaq edhe tregu i institucioneve financiare jo banka, si në segmentin e mikrokredisë, ashtu edhe në atë të pagesave.
Ndoshta tregu që ka pasur më pak ndryshime në strukturën e tij gjatë dekadës së fundit ka qenë tregu i sigurimeve. Hyrja e fundit në tregun e sigurimeve të Jo-Jetës është shënuar në vitin 2012. Më tej, i vetmi zhvillim në strukturën e tregut ishte privatizimi i kompanisë me kapital shtetëror INSIG dhe shoqëria e pranishme në treg, Eurosig.
Për sa i takon tregut gjithsesi shumë të vogël të Jetës, e vetmja hyrje e re, Albsig Life, ishte në fakt e lidhur me qëllimin e grupit Kastrati për të hapur një fond pensioni dhe përmbushjen e kriterit të kërkuar, që aksioneri i shoqërisë administruese të ishte kompani e sigurimit të Jetës.
Shpenzimet më të ulëta në rajon për sigurime
Sipas ekspertëve, arsyet pse tregu i sigurimeve nuk tërheq shumë investitorë të rinj, duhen parë, në radhë të parë, nga madhësia e tij modeste dhe shpenzimet e ulëta për t’u siguruar, në terma mesatarë. Për vitin 2022, primet e shkruara bruto arritën një vlerë totale prej 21 miliardë lekësh, ose rreth 181 milionë euro.
Me një prim mesatar sigurimi prej afërsisht 62 eurosh për frymë, Shqipëria ngelet një ndër tregjet me densitetin më të ulët të sigurimeve në Europë.
Për një krahasim koherent me vendet e tjera mund t’u referohemi të dhënave të vitit 2021, treguesi i densitetit të sigurimeve ishte rreth 55 euro prime të shkruara bruto për frymë në vit. Në Europë, vetëm Moldavia e kishte këtë tregues më të ulët, me rreth 37 euro për frymë.
Shqipëria mbetet mbrapa në densitetin e sigurimeve në popullsi edhe krahasuar me vendet fqinje të Ballkanit Perëndimor. Kosova raportoi prime të shkruara bruto në vlerën e rreth 62 eurove për frymë, Maqedonia e Veriut, rreth 89 euro për frymë, Bosnjë-Hercegovina, 127 euro për frymë, Serbia, 145 euro për frymë dhe Mali i Zi, 159 euro për frymë.
Për krahasim, në vendet e Bashkimit Europian, primi mesatar i sigurimit për frymë është afër nivelit të 2100 eurove, ose 38 herë më shumë se Shqipëria.
Për vitin 2021, volumi i tregut të sigurimeve në Shqipëri, sipas primeve të shkruara bruto, ishte afërsisht sa 1.1% e Prodhimit të Brendshëm Bruto të vendit. Edhe sipas këtij treguesi, të njohur ndryshe si penetrimi i tregut të sigurimeve, Shqipëria ka tregun më të vogël të sigurimeve në rajon.
Para Shqipërisë, renditet Maqedonia e Veriut, ku tregu i sigurimeve ka një volum të primeve të shkruara bruto sa 1.35% e PBB-së. Vijojnë Kosova, me 1.5% të PBB-së, Serbia, me 1.7% dhe Bosnjë-Hercegovina, me 1.85% të PBB-së.
Tregu i rajonit me penetrimin më të lartë të sigurimeve është Mali i Zi, ku primet e shkruara bruto përbëjnë 2% të Prodhimit të Brendshëm Bruto. Rajoni ynë, megjithatë, mbetet ende shumë larg niveleve mesatare të Bashkimit Europian, ku primet e shkruara bruto përbënin 7.4% të PBB-së.
Burime: Rregullatoret e tregut
Aktivitet me fitime të ulëta
Tregu i sigurimeve shfaq norma të fitimit nga xhiro relativisht të ulëta. Sipas pasqyrave të fundit financiare të disponueshme, ato të vitit 2021, kompanitë kishin norma kthimi nga xhiroja njëshifrore, duke u luhatur mes 5% dhe 9%.
Treguesit e rentabilitetit të tregut të sigurimeve gjithashtu kanë rezultuar në nivele të ulëta dhe jo shumë të lakmueshme. Sipas të dhënave nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, për vitin 2021 kthimi nga kapitali i tregut të sigurimeve shënoi nivelin 4.67%, në rënie të ndjeshme nga niveli prej 8.73% i vitit 2020. Asnjëherë në pesë vitet e fundit (2017-2021), treguesi i kthimit nga kapitali nuk ka arritur nivele dyshifrore, ndërsa mesatarja e pesëvjeçarit ka qenë 7.6%.
Për krahasim, kthimi mesatar nga kapitali i sektorit bankar për të njëjtën periudhë (sipas standardeve më konservatore të raportimit, atyre të Bankës së Shqipërisë) ka qenë 13.13%. Sektori bankar ofron kthime dukshëm më të larta, megjithëse në vitet e fundit, këto kthime po vihen nën trysninë e rritjes së vazhdueshme të kërkesave për kapital.
Fitimet në vlera modeste, si në terma absolutë, ashtu edhe relativë, japin një ide lidhur me faktin se pse tregu i sigurimeve nuk është shumë tërheqës për investime të reja.
Dominimi i tregut motorik
Një tipar thelbësor i tregut të sigurimeve në Shqipëri, që në origjinën e tij, ka qenë dominimi i theksuar i produkteve motorike dhe kryesisht atyre të sigurimit të detyrueshëm.
Sipas të dhënave nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF), për vitin 2022, sigurimet e detyrueshme motorike për përgjegjësitë ndaj palëve të treta përbënin 67.75% të primeve të shkruara bruto në sigurimin e Jo-Jetës, në rritje të mëtejshme nga niveli 66.69% i vitit të mëparshëm.
Ky segment përfshin sigurimin e brendshëm të sigurimit të përgjegjësive motorike ndaj palëve të treta, Kartonin Jeshil dhe Policën Kufitare, të tria produkte të detyrueshme me ligj. Prej vitit 2014 e në vazhdim, pesha e këtyre produkteve ka qenë gjithmonë sipër nivelit të 65% të volumit total të primeve të shkruara bruto.
Siguruesit nënvizojnë se, për sa kohë Shqipëria do të vazhdojë të jetë një treg i dominuar nga sigurimet e detyrueshme motorike, do të jetë e vështirë që tregu të jetë atraktiv, sidomos për investitorë të huaj të specializuar.
Një interes i tillë do të zgjohej vetëm nëse Shqipëria arrin të zhvillojë tregun e sigurimeve vullnetare, por në këtë drejtim, shenjat nuk janë shumë inkurajuese.
Sipas statistikave të AMF-së, për vitin 2022, sigurimet vullnetare sollën 32.25% të primeve të shkruara bruto në sigurimin e Jo-Jetës, nga 33.3% që kishte qenë pesha e tyre në vitin 2021. Volumi i përgjithshëm i primeve të shkruara bruto për sigurimet vullnetare në vitin 2022 ishte 6.2 miliardë lekë, ose rreth 53 milionë euro.
Kjo do të thotë se shqiptarët kanë shpenzuar vetëm 18 euro për frymë për t’u siguruar vullnetarisht.
Shifrat u referohen vetëm atyre produkteve të sigurimit që janë ligjërisht të detyrueshme. Por, edhe një pjesë e mirë e sigurimeve që janë ligjërisht vullnetare, në fakt kryhen në mënyrë të detyrueshme, për shkak të detyrimeve të vendosura në marrëdhëniet kontraktore nga palë të treta, si bankat apo institucionet financiare, etj.
Ndër këto produkte, më tipiket janë sigurimet e pronave të lëna si kolateral për kreditë bankare, sigurimet KASKO të automjeteve të blera me qira financiare, apo policat e sigurimit të aksidenteve në udhëtim.
Ndër produktet e sigurimit vullnetar, më i rëndësishmi mbetet sigurimi ndaj zjarrit dhe forcave të natyrës, me rreth 29% të primeve të shkruara bruto, i ndjekur nga sigurimi i mjeteve tokësore (KASKO), me 20% të totalit.
Shifrat tregojnë qartë se tregu nuk po bën asnjë përparim në drejtim të rritjes së peshës së sigurimeve vullnetare, që paraqiten gjithnjë e më në pakicë në strukturën e primeve të tregut. As hyrja në treg e investitorëve të huaj rreth 15 vite më parë nuk solli një transformim të shpresuar cilësor të tregut.
Nga tetë kompani të licencuara për ofrimin e sigurimeve të Jo-Jetës, vetëm dy prej tyre kanë peshë të primeve nga sigurimet vullnetare më të lartë se mesatarja e tregut. Në rastin e Albsig, sigurimet vullnetare sjellin 50% të primeve, ndërsa për Sigal Uniqa Group Austria, 46.5% të tyre.
Të gjitha kompanitë e tjera e kanë peshën e sigurimeve vullnetare kundrejt totalit të primeve, në intervalin mes 13% dhe 25%.
Drejtuesit e kompanive të sigurimit mendojnë se mbulimi apo kompensimi i dëmeve nga shteti, në rastet e fatkeqësive natyrore, si tërmetet apo përmbytjet, ka bërë që qytetarët të mos ndërgjegjësohen rreth rëndësisë së sigurimit për të qenë të mbrojtur financiarisht ndaj dëmeve të mundshme, në pronë apo në shëndet.
Tregu i Jetës, “zgjatim” i kredisë bankare
Një nga treguesit e zhvillimit të dobët të tregut të sigurimeve në Shqipëri është madhësia tejet e vogël e tregut të sigurimit të Jetës. Statistikat e AMF-së tregojnë se primet e shkruara bruto në sigurimin e jetës përbëjnë vetëm 8% të volumit të përgjithshëm të tregut të sigurimeve në vend.
Në tregjet e zhvilluara, pesha e tregut të Jetës është disa herë më e lartë. Vitin e kaluar, shqiptarët shpenzuan mesatarisht vetëm 5 euro për frymë për sigurime të jetës. Edhe tregu i sigurimit të Jetës ka tiparet e një tregu që mbahet mbi një produkt ligjërisht vullnetar, por praktikisht të detyrueshëm, sigurimin e jetës së debitorit. Ky produkt ka në tregun e Jetës një peshë të ngjashme me atë që kanë sigurimet motorike në tregun e Jo-Jetës.
Sigurimi i Jetës është detyrim i vendosur nga bankat dhe institucionet e kredidhënies për kreditë afatgjata në Lek, sidomos për ato hipotekore. Në mungesë të këtij detyrimi, përmasa e tregut të sigurimit të Jetës në Shqipëri do të ishte krejt e papërfillshme.
SIVIG: Investitorët e huaj duan zhvillimin e tregut vullnetar
Klaidi Çitozi, Drejtor i Përgjithshëm i Sigma Interalbanian Vienna Insurance Group, dhe kryetar i Shoqatës së Siguruesve Shqiptarë, thotë për “Monitor” se interesi i ulët për tregun shqiptar të sigurimeve lidhet me faktorë të jashtëm dhe të brendshëm.
“Interesimi i kompanive të huaja për tregun shqiptar u materializua në vitin 2007 me shitjen e kompanisë Sigma te Vienna Insurance Group dhe Sigal tek Uniqa Group Austria, më pas edhe të Interalbanian tek ASPIS në Greqi.
Duhet të kuptojmë se ato ishin vite ekspansioni për kompanitë europiane në të gjithë Europën Lindore, por veçanërisht edhe në Ballkanin Perëndimor.
Nëse në disa vende të Europës Qendrore dhe Lindore, ato hynë në fillim të viteve ’90, pas rënies së komunizmit, në Ballkanin Perëndimor, ato hynë në një fazë më të vonshme.
Por, në vitin 2008, filluan të ndihen efektet e krizës financiare botërore. Pas këtij momenti, të gjitha kompanitë e mëdha shumëkombëshe i dhanë përparësi konsolidimit në vendet e tyre, më shumë se sa zgjerimit në tregje të reja. Aty nisi një periudhë stanjacioni për të gjithë investitorët europianë, që, në fund të fundit, janë potencialisht investitorët e huaj që mund të priten në rajonin tonë”, – shprehet ai.
Megjithatë, z. Çitozi mendon se interesi i pakët i investitorëve nuk lidhet vetëm me zhvillimet në tregjet e huaja, por edhe me atë çfarë ofron sot tregu i sigurimeve.
“Duhet thënë edhe diçka tjetër. Tregu shqiptar i sigurimeve, që nga periudha e hyrjes së investitorëve të parë të huaj, nuk ka shënuar ndonjë zhvillim të jashtëzakonshëm. Atëherë, primi i sigurimit për frymë ka qenë rreth 30 euro.
Sot kemi arritur në afërsisht 60 euro, që mbetet ende një nivel shumë i ulët krahasuar qoftë edhe me tregjet e tjera të rajonit dhe të Europës Juglindore. Minimumi i këtij treguesi në Europën Juglindore është rreth 200 euro për frymë, ndërsa vende si Çekia apo Polonia janë në nivelin e 500 eurove për frymë.
Në Europën Perëndimore arrijmë deri në 2000 euro për frymë. Kjo mund të jetë një nga arsyet pse tregu i sigurimeve nuk shfaqet shumë interesant për investitorë të rinj”, – thotë z. Çitozi.
Një faktor tjetër, sipas tij, është se tregu shqiptar është, në masën dërrmuese, një treg motorik dhe kompanitë e huaja nuk janë shumë të interesuara për këtë segment.
“Ato duan zhvillimin e tregut vullnetar. Pothuajse në të gjithë Europën sot kemi një unifikim të vlerës maksimale të dëmshpërblimit, që shkon deri në 5 milionë euro. Edhe në Shqipëri, kjo vlerë do të rritet vit pas viti. Në momentin që do t’u afrohemi ligjeve dhe rregullave të BE-së, do ta shohim që sektori motorik nuk do të jetë më tërheqës”, – thotë ai.
Një element tjetër që mban të ulët qoftë edhe interesin e investitorëve vendas është edhe përfitueshmëria e ulët e këtij aktiviteti.
“Nëse flasim pastaj edhe për arsyet pse mungon interesi, qoftë edhe nga investitorë lokalë, sërish çështja qëndron. Kompania e fundit ka hyrë në treg në vitin 2012. Pas asaj, nuk di të ketë pasur ndonjë aplikim serioz për licencim.
Edhe këtu ka disa faktorë. Faktori i parë është se kompanitë e sigurimit operojnë me një fitim shumë të ulët, rreth 5% e xhiros. Në Shqipëri, vitet e fundit, ka pasur sektorë që kanë qenë shumë më fitimprurës se kompanitë e sigurimit.
Kompanitë e sigurimit kanë një bazë të ardhurash që mbështetet kryesisht te dy elemente: rezultati teknik nga diferenca mes primeve dhe dëmeve, si dhe të ardhurat nga interesat. Ne kemi pothuajse një dekadë që operojmë në një mjedis me norma shumë të ulëta interesi, që ka dhënë efekt në të ardhurat e ulëta nga investimet financiare”, – thotë ai.
Një faktor tjetër, sipas tij, është se tregu i sigurimeve ka burime njerëzore, të mirëtrajnuara, të pamjaftueshme.
“Kemi arritur të trajnojmë një kategori profesionistësh, që mund të jenë të mjaftueshëm për ato kompani që operojnë sot, por për kompani të reja, ata janë pak. Sektori i sigurimeve është pak i veçantë dhe trajnimi i burimeve njerëzore është i vështirë të bëhet në Shqipëri.
Duke qenë se në SIVIG jemi pjesë e një grupi të rëndësishëm europian jemi trajnuar në Austri, por jo të gjithë e kanë këtë mundësi”, – thotë z. Çitozi.
Sigal: Duhen reforma që të nxisin kulturën e sigurimit
Avni Ponari, Drejtor i Përgjithshëm i Sigal Uniqa Group Austria, thotë për “Monitor”, tregu shqiptar i sigurimeve mbetet një treg i vogël dhe i varfër.
“Njerëzit vazhdojnë të kenë të njëjtin mentalitet si para 30 vjetësh dhe të mendojnë se shteti duhet të jetë kujdestar për gjithçka. Nëse i digjet apo përmbytet shtëpia, qytetari shkon te dera e kryetarit të bashkisë, nëse bie tërmet, do të kërkojë zgjidhje nga qeveria.
Nga ana tjetër, qeveria merr përsipër t’i bëjë vetë të gjitha, edhe në raste përmbytjesh, edhe në raste tërmetesh e kështu me radhë.
Në këto kushte, është e kuptueshme që tregu i sigurimeve mbetet ai që ka qenë: i vogël, i varur nga sigurimet motorike dhe pa shumë interes nga investitorët”,- thotë z. Ponari.
Sipas tij, zhvillimi i këtij tregu do të kërkonte reforma të thella dhe një bazë ligjore që të nxisë sigurimin.
“Franca është ndër vendet më të zhvilluara në botë dhe ka mbi 40 lloj sigurimesh që, direkt apo indirekt, i shtyjnë njerëzit të sigurohen për të qenë të mbrojtur. Fusha të tilla janë sigurimet e përgjegjësive në shërbimin ushqimor dhe të restoranteve, në mjekësi, etj. Nëse ka një ligj për sigurimin e përgjegjësive civile, të gjithë ata që kanë aktivitete me rrezik të lartë, për shembull, pikat e shitjes së gazit të lëngshëm, do të sigurohen.
Përgjegjësia civile është një përgjegjësi e madhe dhe këtu ka shumë për të bërë. Qoftë në përcaktimin e rreziqeve, qoftë në përcaktimin e limiteve të përgjegjësisë për rastet. Siç është TPL përgjegjësi ndaj palëve të treta, ashtu janë edhe profesionet dhe gjithçka tjetër që mbart rrezik për të tjerët. Pra, nëse duam të zhvillojmë tregun e sigurimeve dhe t’u japim siguri më të madhe njerëzve, këto reforma janë të domosdoshme.
Është shteti që, në rolin e rregullatorit, ndërton këto skema dhe mbron qytetarin nga gabimet e mjekut dhe mjekun nga përgjegjësia individuale, mbron bizneset për kostot që mund t’i vijnë nga dëmet e shkaktuara për të tretët, e kështu me radhë”, – shprehet ai.
Sipas z. Ponari, një shembull flagrant është mungesa e sigurimit në sektorin e energjisë elektrike për dëmet e shkaktuara ndaj të tjerëve.
“Sot, qytetarët nuk janë të mbrojtur nga dëmet që mund të shkaktojnë luhatjet e tensionit apo mungesa e tij. Kontratat e shitjes janë të njëanshme dhe OSHEE as do t’ia dijë se çfarë përgjegjësish burojnë nga ndryshimi i tensionit apo mungesa e tij. Kjo duhet rregulluar me ligj, duke përcaktuar nivelet e pagesave dhe limitet e përgjegjësive”, thotë z. Ponari.
Ai mendon se politikat, jo vetëm që nuk i nxisin sigurimet, por shpesh luajnë rol frenues.
“Për shembull, në Shqipëri sot paguhet taksë mbi primin e sigurimeve shëndetësore. Pra, një punonjës që paguan sigurimin e detyrueshëm shëndetësor në shtet, ne e taksojmë edhe kur bën një sigurim shëndeti privat. Pra, ne nuk i japim asnjë incentivë qytetarit të sigurojë shëndetin.
Sot, një numër shumë i madh qytetarësh marrin shërbim në institucionet shëndetësore private, pikërisht falë sigurimit të shëndetit. Kjo heq një barrë të konsiderueshme nga shërbimi shëndetësor publik, por mesa duket, politikat shëndetësore nuk e vlerësojnë këtë fakt.
Shteti duhet ta shohë sigurimin si një zgjidhje dhe nuk ka nevojë të shpikim asgjë në këtë drejtim. Modelet janë, ne duhet vetëm të zgjedhim. Nëse do të arrijmë të ndërtojmë një sistem sigurimesh shëndetësore të kombinuara, do të arrijmë të sigurojmë edhe shërbim më të mirë për publikun”, – thotë ai.
Sipas tij, e njëjta logjikë vlen edhe për pensionet. Nëse pensionit publik i shtohet edhe një pension privat, atëherë pensionistët do të kenë të ardhura të mjaftueshme për një jetesë dinjitoze në pleqëri.
Eurosig: Jemi treg i vogël dhe motorik
Kadri Morinaj, president i grupit të sigurimeve Eurosig, thotë për “Monitor” se problemi kryesor për tregun shqiptar të sigurimeve është madhësia e tij modeste dhe fakti që ky treg mbështetet në masën dërrmuese, te sigurimet motorike.
“Duhet të kemi parasysh se tregu i sigurimeve në Shqipëri përbëhet pothuajse në masën 70% nga produktet motorike. Në total, duke përfshirë dhe sigurimet e jetës dhe ato vullnetare arrijmë në një volum tregu prej 150 milionë eurosh.
Me një treg të këtyre përmasave, veprojnë aktualisht tetë kompani. Pra, duke pasur parasysh se sa i vogël është tregu, është e lehtë të kuptohet pse nuk ka interes të madh nga investitorë të rinj për të hyrë në të. 20 milionë euro qarkullim sot mund të sigurohen edhe duke ndërtuar një kullë jo shumë të lartë. Kjo është arsyeja pse askush nuk ka interes sot të hyjë në tregun e sigurimeve”, – thotë z. Morinaj.
Sipas tij, e vetmja mënyrë për t’i dhënë shtysë të shpejtë rritjes së tregut të sigurimeve do të ishte miratimi i ligjit për sigurimin e detyrueshëm të banesave.
“Sot, vetëm në zonat urbane janë rreth 500 mijë banesa. Shumëzuar me 50 euro prim vjetor sigurimi, kjo do të gjeneronte 25 milionë euro prime në vit, ose 250 milionë euro për 10 vjet. Për këtë volum tregu nuk paguan më 2 milionë euro prime risigurimi në vit, por e çon në 4 milionë euro, duke rritur edhe limitin për ngjarje sigurimi.
Nëse bëhet kjo, atëherë shteti nuk ka më përgjegjësi për të mbuluar dëmet. Shteti përgjigjet vetëm për situatën e emergjencës, për shembull, për 20 ditë. Pastaj, shlyerja e dëmeve është përgjegjësi e kompanive të sigurimit. Vetëm në tërmetin që kaloi, kompanitë e sigurimit paguan 40 milionë euro”, – thotë z. Morinaj.
Ai shprehet se zhvillimi i kulturës së sigurimeve në vend ka nevojë të incentivohet nga shteti, me lehtësi fiskale apo subvencione.
“Nëse pastaj shohim segmentet e tjera të tregut, ne kemi, për shembull, një treg të jetës, me përmasa ende të papërfillshme. Në Maqedoninë e Veriut, tregu është katër herë më i madh. Pse ndodh kjo? Sepse në Maqedoninë e Veriut, sigurimi i jetës rimbursohet nga shteti”, – thotë ai.
Atlantik: Zhvillimi i tregut është çështje emancipimi
Dritan Çelaj, Drejtor i Përgjithshëm i kompanisë Atlantik, thotë për “Monitor” se tregu i sigurimeve në Shqipëri ka pasur historik problematik, ndaj, qoftë edhe stabiliteti i arritur në vitet e fundit duhet interpretuar gjithsesi si një zhvillim pozitiv.
“Mendoj se në vitet e fundit, tregu ka qenë i stabilizuar, që në vetvete është element për t’u vlerësuar, duke pasur parasysh edhe zhvillimet e pafavorshme dhe efektet e gjata të krizës financiare të vitit 2008.
Tregu i sigurimeve ka një specifikë: këtu nuk shiten produkte të gatshme, që kanë kosto fikse më të lehtë për t’u përllogaritur dhe për të vendosur në fund një çmim. Ne në thelb blejmë përgjegjësi dhe duhet vetëdije për të vlerësuar se ky rrezik duhet blerë me një rrezik të pranueshëm.
Deri një dekadë më parë, sidomos në tregun motorik, punohej me çmime nën kosto, që ishte një praktikë shumë e rrezikshme. Tani, të paktën tregu e ka krijuar vetëdijen që të mos ndjekë më praktika të tilla dhe të mos ulë çmimet poshtë primit të rrezikut që miratohet nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare. Unë e konsideroj këtë një hap të rëndësishëm”, – thotë z. Çelaj.
Për sa i përket zhvillimit të tregut, ai mendon se kjo është edhe çështje emancipimi dhe mentaliteti.
“Jo të gjitha familjet apo bizneset e kanë ndërgjegjësimin për të siguruar një mbrojtje nga rreziqet e mundshme. Besoj se është gjëja më normale që të investosh për të qenë i mbrojtur nga rreziqet, por ky proces, me sa duket, kërkon kohën e vet.
Në vende si Shqipëria, gjërat funksionojnë me një kujtesë pak të shkurtër. Për shembull, vumë re se pas tërmetit të vitit 2019 pati rritje të menjëhershme të interesit të publikut për të siguruar banesat. Por, kjo u shua në harkun e dy javëve.
Pra, ky është një proces, ku natyrisht edhe kompanitë duhet të luajnë rol, por ndoshta kërkon edhe kohën e vet. Duhet thënë se kompanitë e sigurimeve sot paguajnë dhe kjo është një mënyrë për të fituar besimin e qytetarëve”, – thotë z. Çelaj.
Sipas tij, ajo që është për t’u përmirësuar është se sot ka disa përgjegjësi që ligjërisht duhet të sigurohen, por në praktikë kjo nuk ndodh, për shkak të mungesës së një baze të qartë nënligjore dhe mungesës së enteve që duhet të kontrollojnë në mënyrë rigoroze zbatimin e këtyre detyrimeve.
“Shembuj të tillë mund të jenë karburantet apo enët nën presion, etj. Kjo dëmton jo vetëm kompanitë e sigurimit dhe palët e ekspozuara ndaj rreziqeve, por edhe buxhetin e shtetit, sepse sjell më pak të ardhura nga taksa mbi primin.
Si hap i parë, duhet që entet përkatëse që kontrollojnë tregjet të veprojnë për t’i bërë të zbatueshme këto sigurime. Kjo mund ta rrisë volumin e tregut me afërsisht 25% dhe ta diversifikojë në kategori të tjera jashtë sigurimeve motorike”, shprehet ai. Monitor.