Pothuajse 63% e totalit të primeve të shkruara bruto dhe e dëmeve të paguara në rang vendi gjenden në Tiranë. Në vend të dytë vjen Durrësi, i cili përbën vetëm 7% të vlerës prej 22.8 miliardë lekësh të primeve, ndjekur nga Korça me gati 5% dhe 4.5% në Vlorë e Fier. Qarqet e tjera të vendit përbëjnë një përqindje të papërfillshme të totalit të primeve dhe shumës prej 6.5 miliardë lekësh të dëmeve të paguara.
Konkretisht, qarku i Tiranës numëron 14.3 miliardë prime të shkruara bruto, ndërsa ai i Durrësit 1.6 miliardë. Qarku që ka regjistruar përqindjen më të vogël të policave të sigurimit është ai i Kukësit me vetëm 201 milionë lekë prime dhe më pas Dibra me 368 milionë.
Për sa i përket dëmeve të paguara, pavarësisht se Berati ka pasur një vlerë më të lartë të primeve të shkruara bruto se Dibra, nga të dhënat e Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare rezulton se Qarku i Beratit ka pasur më tepër raste për pagim dëmesh sesa Dibra. Kjo nënkupton se qarqe si Berati janë përballur me një frekuencë më të lartë të ngjarjeve të siguruara, të tilla si fatkeqësitë natyrore, aksidentet ose sigurime të tjera. E njëjta gjë vlen për Gjirokastrën, ndërsa qarku i Kukësit vazhdon të ketë një përqindje më të ulët dëmesh të paguara, në përputhje kjo edhe me numrin e primeve të shkruara bruto.
Shifrat nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare nxjerrin në pah një pabarazi në shpërndarjen e primeve të shkruara bruto dhe dëmeve të paguara në të gjithë Shqipërinë, me një përqendrim të konsiderueshëm të aktivitetit të sigurimeve në kryeqytet dhe një rënie më të madhe në rajone të tjera. Përvec densitetit të popullisë, faktorët që kanë kontribuar në këtë shpërndarje janë aktiviteti ekonomik dhe zhvillimi rajonal.