Aktualitet

Turizmi, jehonë në mediat e huaja: Shqipëria, një nga destinacionet evropiane më të mira për pushime në 2024


Nga malet e thepisura deri te vija bregdetare me plazhet mahnitëse dhe qytetet plot histori, Shqipëria po shfaqet si një nga destinacionet mesdhetare më të mira dhe më të lira për pushime në Evropë, shkruan Keith Austin në të përditshmen australiane delicious.com.au .

Ku ndodhet Shqiperia?

Shqipëria është një vend me 2,8 milionë banorë, shumë pranë Italisë ku bashkohen detet Adriatik dhe Jon. Ajo ndodhet në Gadishullin Ballkanik juglindor të Evropës.

Shqipëria kufizohet në veri me Malin e Zi dhe në jug me Greqinë veriore. Ajo gjithashtu ndan kufijtë me Kosovën dhe Maqedoninë e Veriut në lindje.

Si të shkoni në Shqipëri?

Shumë njerëz fluturojnë drejt Tiranës, kryeqytetit, në qendër të vendit. Ekziston një tjetër aeroport ndërkombëtar në Kukës, në verilindje, dhe një tjetër pritet të hapet në mars të vitit 2025, jashtë qytetit bregdetar të Vlorës.

Një mënyrë popullore për të hyrë në vend është të fluturoni në Korfuz dhe të bëni një udhëtim të shkurtër me traget për në Sarandë. Autobusët lëvizin në kufijtë tokësorë.

Ku të shkoni dhe çfarë të bëni në Shqipëri?

Shqipëria është një vend me një histori të larmishme, pasi ka qenë pjesë e perandorive romake dhe osmane përpara se të binte nën kontrollin komunist dhe sundimin 40-vjeçar të Enver Hoxhës, i cili krijoi një mbretëri eremite virtuale.

Secila prej tyre ka lënë gjurmë në vend si në aspektin social ashtu edhe në atë arkitekturor.

Si i tillë, vendi është i mbushur me kisha të mahnitshme, xhami, kështjella dhe 750 000 bunkerë të ndërtuar gjatë regjimit të Hoxhës.

Qyteti i lavdishëm prej guri i Gjirokastrës në jug është një destinacion popullor. Gjithashtu, disa nga vlerat arkitekturore janë parku arkeologjik i Butrintit, qytetet antike të Beratit, Korçës dhe Shkodrës.

Tirana ia vlen të vizitohet për të parë nga afër “çmenduritë” e regjimit të Hoxhës, ndërsa ata që kërkojnë aventura të largëta mund të eksplorojnë lumin më të egër ne Evropë, lumin e Vjosës dhe burimet termale të Benjës, në qytetin jugor të Përmetit.

Ku ndodhen plazhet më të mira në Shqipëri?

Me një vijë bregdetare prej 476 kilometrash, Shqipëria ofron shumë vendpushime mahnitëse. Plazhi i Ksamilit është një nga më të njohurit, por mund të mbipopullohet gjatë muajve të verës.

Vlora dhe Durrësi, më në veri, janë gjithashtu plazhe të njohura turistike.

Bregdeti në veri të Sarandës është i mbushur me plazhe të vogla, të izoluara si Lukova dhe Buneci, ku restorantet ofrojnë ushqime, si peshk dhe birrën e shkëlqyer vendase, “Birra Korça”.

Plazhi i vogël në Porto Palermo është një destinacion i mrekullueshëm, Aty pranë ndodhet kështjella 200-vjeçare e Ali Pashës.

Deti në Shqipëri është i pastër, i kristaltë dhe i qetë, por kini parasysh se shumë plazhe janë me gurë dhe jo me rërë.

Çfarë kuzhine shërbehet në Shqipëri?

Kuzhina lokale është shumë e lidhur me pjesën tjetër të Mesdheut, ku një përdorim të gjerë zënë vaji i ullirit, frutat, perimet, mishi dhe peshku.

Një ushqim popullor dhe shumë i lirë është byreku, i mbushur me djathë, spinaq, mish ose qepë. Pica gjendet pothuajse kudo.

A është Shqipëria e lirë për të udhëtuar?

Si në cdo vend tjetër, gjatë muajve të verës mund të jetë pak më shtrenjtë, kështu që këshillohet udhëtimi jashtë pikut të sezonit.

Në qershor të vitit të kaluar pagova rreth 2 dollarë për një kafe, në një kafene buzë detit në Sarandë .

Një birrë vendase kushton rreth 1,61-3,22 dollarë. Një pjatë me mish viçi dhe perime kushton afërsisht 8,05 dollarë.

Në përgjithësi, Shqipëria është më e lirë se shumica e vendeve të tjera evropiane.

Exit mobile version