Edhe pse kanë kaluar tre javë nga incidenti që paralizoi punën në urgjencën kombëtare të QSUT, nuk ka ende një përgjigje se kur do të kthehet funksionimi normal.
Ministrja e Shëndetësisë, Albana Koçiu duke i’u përgjigjur interesit të mediave bëri të ditur se struktura e dëmtuar nga zjarri është në proces rehabilitimi.
“Përgjegjësit janë duke i’u nënshtruar një hetimi nga prokuroria për këtë çështje. Shërbimi shëndetësor nuk po mungon sepse është shpërndarë në spitale të tjerë. Vetë QSUT gjithashtu po mbulon nevojat. Struktura e cila është dëmtuar po rehabilitohet dhe do të nisë punën shumë shpejt”, tha Koçiu.
Sa i takon nevojës për mjekë që kanë kryesisht zonat përtej qendrave të mëdha urbane, ministrja Koçiu pranoi vështirësitë me të cilat përballet sistemi shëndetësor në këtë drejtim.
“Rialokimi sa më i mirë i mjekëve dhe infermierëve sidomos në zona të largëta vijon të mbetet një sfidë për sektorin dhe për këtë arsye, incentiva të ndryshme sikundër bonusi po ndërmerren për të plotësuar nevojat”, tha Koçiu.Shqipëria mbetet ende larg standardit të vendeve të rajonit sa i takon numrit të mjekëve në raport me popullsinë.