Aktualitet

Vaji i ullirit shitet më lirë, çmimet bien krahasuar me vitin e kaluar

Prej 10 ditësh, në fabrikat e ullirit po punohet me intensitet për prodhimin e vajit. Fermerët thonë se prodhimi këtë vit është i kënaqshëm, por më i paktë se sezoni i kaluar.

“Prodhimi sivjet është i kënaqshëm, por mungojnë disa litra prodhimi, faktor ishte thatësira, tani ulliri ka marrë ujë dhe nuk e jep rendimentin sa duhet. Nga 20, ka vajtur 14 litra”, tha një fermer.

“Në krahasim me vjet kemi një rënie të vajit të ullirit, shirat kanë rënë më vonesë dhe ulliri ka marrë shumë ujë. Ka peshë nga lagështia. Sivjet kemi filluar punën në 10 tetor, jepte deri në 15 litra për kuintal, ndërsa tani  ne tani na ka dhënë deri në 22 litra për kuintal”, shtoi një tjetër.

Në ndryshim nga një vit më parë, në këtë periudhë një litër vaj ulliri po shitet më lirë. Çmimi mesatar i këtij sezoni është 700 lekë për litër.

 “Çmimi i vajit është 7 mijë lekë për momentin. Si çmim është i kënaqshëm, por jo aty ku duhet, duhet të ishte edhe më shumë”, deklaroi fermeri.

“Për momentin ne po mbledhim vaj ulliri, çmimi ndryshon nga 6.5 në 6.7 lekë, në varësi të cilësisë. Për momentin është në këtë fazë”, tha fermeri.

“Vjet litri i vajit ka arritur deri në 8 mijë lekë të vjetra litri, ndërsa sivjet ka rënie, po shitet 7 mijë”, u shpreh një tjetër.

Fermerët në Berat dhe Fier pohojnë se gjatë këtyre muajve janë ndihmuar nga ekspertët italianë për përpunimin dhe rritjen e cilësisë së vajit. Ata shtojnë se për vajin e ullirit shqiptar ka treg edhe në Itali, Greqi, Gjermani e Zvicër.

Exit mobile version