Zbardhet lista me programet prioritare ku studentëve do t’u ofrohet mbështetje financiare në vlerën e pagës minimale. Në fletoren zyrtare janë publikuar 39 programe të studimit që nxënësit mund të zgjedhin si degë prioritare në 5 fusha të ndryshe që përfshin, arsimin, artet, shkencat e natyrës, inxhinierinë, bujqësinë së bashku me veterinarinë. Krahasuar me një vit më parë ka një rritje të programeve të studimit të cilat janë cilësuar si prioritet kombëtar.
Shumica e programeve të studimit janë në fushat e shkencave të natyrës, aty ku nga viti në vit mungesat e studentëve kanë qenë gjithnjë e më të mëdha, si dhe në inxhinieri, e ndjekur nga bujqësia dhe turizmi.
Për të gjitha këto degë prioritare, qeveria ka vendosur heqjen e kriterit të mesatares 8.5 për të përfituar bursë për studentët.
Po ashtu me vendim të Këshillit të Ministrave është hequr edhe kriteri i ruajtjes së mesatares përgjatë të gjitha viteve të studimit për të përfituar bursën e cila është e barabartë me pagën minimale prej 40 mijë lekësh. Ndërkohë që mbetet kushti që tre vjet pas përfundimit të studimeve ata që kanë përfituar bursa të punojnë në Shqipëri.