Aktualitet

Zgjatet sezoni turistik, rriten 45% hyrjet e të huajve në shtator, rekord dhe për 9-mujorin

Turizmi ka vijuar që të përjetojë ditët e tij më të mira edhe në muajin shtator, duke reflektuar një zgjatje të sezonit turistik përtej muajve tradicionalë të verës.

Të dhënat e INSTAT bënë të ditur se në shtator, në vend hynë 1.1 milionë shtetas të huaj, me një rritje prej 45% në krahasim me të njëjtin muaj të një viti më parë.

Ky është niveli më i lartë i hyrjeve të të huajve të regjistruar ndonjëherë në këtë muaj.

Edhe për periudhën janar-shtator, shifrat tregojnë një rekord historik. Në vend kanë hyrë gjithsej 8.3 milionë shtetas të huaj, që është një shifër 29% më e lartë se e njëjta periudhë e një viti më parë.

Reklama e bërë në mediat e huaja për Shqipërinë, çmimet e lira brenda në vend, por edhe ato të fluturimeve kanë bërë që gjithnjë e më shumë të huaj të zbulojnë bukuritë natyrore të vendit, duke i dhënë gjallëri konsumit që ishte ndryshuar si rrjedhojë e frenimit të blerjeve nga çmimet e larta dhe ritmet e larta të emigracionit, sidomos të të rinjve.

Baret, restorantet, hotelet, etj kanë raportuar një ecuri të mirë në verë, të ndikuar nga konsumi i turistëve, ndërsa shumë persona kanë shfrytëzuar këtë tendencë për të dhënë shtëpitë me qira. Edhe të ardhurat nga TVSH e brendshme, sipas të dhënave nga Ministria e Financave u rritën me 29% në shtator.

Të dhënat e tjera nga Ministria e turizmit bëjnë të ditur se peshën më të madhe të turistëve vijojnë ta mbajnë shtetasit e Kosovës, me rreth 33% të totalit, të ndjekur nga italianët që këtë vit janë të dytët me rreth 10%, të tretët kanë kaluar maqedonasit, e më pas vijnë shtetasit nga Mali i Zi e Greqia.

Në shtator 2023, rajoni me numrin më të lartë të hyrjeve të shtetasve të huaj në Shqipëri është rajoni i Europës me 1.059.798 shtetas, pasuar nga Amerika dhe Azia Lindore /Paqësori, përkatësisht me 29.236 dhe 8.958 shtetas.

Sipas INSTAT, Në Shtator 2023, krahasuar me Shtator 2022, hyrjet e shtetasve të huaj shënojnë:

• rritje, për qëllime personale me 46,8%;
• rritje, për qëllime pushime, vizitë tek të afërm, etj. me 46,1%;
• rënie, për biznes dhe qëllime profesionale me 34,7%.

Lëvizjet e shtetasve

Sipas njoftimit të INSTAT, hyrjet e shtetasve shqiptarë dhe të huaj në territorin shqiptar, në muajin Shtator 2023, janë 1.651.151. Ky tregues rezulton me një rritje 36,6%, krahasuar me Shtator 2022.

Daljet e shtetasve shqiptarë dhe të huaj nga territori i Shqipërisë, gjatë muajit Shtator 2023, janë 1.714.585, duke shënuar një rritje me 25,0%, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Në Shtator 2023, numri i shtetasve shqiptarë që kanë hyrë në territorin shqiptar është 546.961. Ky numër është rritur me 22,3%, krahasuar me Shtator 2022.
Numri i shtetasve të huaj që kanë hyrë në territorin shqiptar është 1.104.190. Ky numër është rritur me 45,0%, krahasuar me Shtator 2022.

Gjatë 9-mujorit 2023, numri i shtetasve të huaj që kanë hyrë në territorin shqiptar është 8.294.600. Ky numër është rritur me 29,0%, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2022.

Daljet e shtetasve

Daljet e shtetasve shqiptarë nga territori i Shqipërisë, gjatë muajit Shtator 2023 janë 614.086. Krahasuar me Shtator 2022, ky tregues është rritur me 13,5%. Daljet e shtetasve të huaj nga territori i Shqipërisë gjatë muajit Shtator 2023, janë 1.100.499.

Krahasuar me shtator 2022, ky tregues është rritur me 32,5%.

Numri i shtetasve shqiptarë të dalë nga territori i Shqipërisë gjatë nëntëmujorit 2023, është 5.191.839, duke u rritur me 18,2 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Exit mobile version