Aktualitet

Aksidentet në mars u ulën me 10%, sjellja e shoferëve në timon mbetet problem

Aksidentet rrugore janë ulur me 10 për qind në muajin mars. Shifrat e Institutit të Statistikave tregojnë se gjatë muajit të tretë të vitit u regjistruan 91 aksidente rrugore nga 101 të ndodhura në muajin Mars 2022. “Numri i aksidenteve rrugore është ulur me 9,9 % . Numri i të aksidentuarve (të vrarë dhe të plagosur) rezulton 118 persona nga 145 në muajin Mars 2022” thuhet në publikimin e INSTAT. Shkak për aksidentet kryesisht mbetet sjellja e drejtuesve të mjeteve ku për marsin në, në 80,2 % të rasteve, aksidenti ka ndodhur si pasojë e sjelljes së drejtuesit të mjetit. “Numri më i lartë i aksidenteve në këtë periudhë është kryer nga grup-mosha 25-34 vjeç, duke zënë 30,8% të numrit të aksidenteve gjithsej. Aksidentet në këtë grup-moshë janë ulur me 6,7%, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Në muajin Mars 2023, numri më i lartë i aksidenteve rrugore ka ndodhur ditën e Premte, ndërsa numri më i ulët i aksidenteve ka ndodhur të Shtunave. Në muajin Mars 2023, 41,8% e aksidenteve rrugore kanë ndodhur gjatë harkut kohor 17:00-24:00”, raporton INSTAT. Publikimi ka bërë edhe një vlerësim të situatës së aksidenteve rrugore si tremujor i parë i vitit ku rezulton se në janar-mars 2023 numërohen 263 aksidente rrugore nga 285 aksidente, të ndodhura në të njëjtën periudhë të një viti më parë. Edhe në këtë hark kohor numri i aksidenteve rrugore është ulur me 7,7%. “Numri i të aksidentuarve është 360 persona nga 392 persona të aksidentuar në tremujorin e parë të vitit 2022. Aksidentet rrugore, në 19,4 % të rasteve, në tremujorin e parë të vitit 2023 kanë ndodhur si pasojë e sjelljes së këmbësorit. Numri i aksidenteve sipas sjelljes së këmbësorit është rritur me 41,7 %”, vlerëson INSTAT. Monitor

Exit mobile version