Aktualitet

Gjyqet për largimet nga puna, në 2022 u regjistruan 48 çështje të reja

Largimet nga puna, kryesisht në administratë në shumë raste përfundojnë në dyert e gjykatës. Departamenti i Administratës Publike raportoi se vitin e shkuar u regjistruan 48 çështje të reja ne gjykatë nën argumentin e largimit të padrejtë nga puna. “Janë regjistruar për gjykim në gjykatën administrative të shkallës së parë 48 raste të reja, nga 49 që ishin gjatë vitit 2021, ose 2% më pak. Për 27 prej tyre ka përfunduar gjykimi dhe 21 prej tyre janë ende në proces. Nga 27 çështjet e përfunduara në gjykim në shkallën e parë, për 19 prej tyre është rrëzuar kërkesë padia e nëpunësit, pra janë në favor të institucionit. Në përqindje, gjatë vitit 2022, janë 70.4% e vendimeve gjyqësore të formës së prerë në favor të institucionit kurse 29.6% e vendimeve gjyqësore të formës së prerë janë dhënë në favor të nëpunësit, shifër kjo pothuajse e njëjtë me atë të vitit 2021” raporton DAP. Ndërkohë nga viti 214 janë të paktën 380 vendime të formës së prerë që janë dhënë nga këto gjykata ku përveçse kërkohet kthimi në pozicionin e mëparshëm të nëpunësit ose në një pozicion të barazvlefshëm ka edhe ngarkesa financiare për dëmin që i është shkaktuar. Pra pagesa për periudhën që nuk ka qenë në këtë pozicion Në këtë pika DAP vërën se zbatimi i vendimeve të formës së prerë shoqërohet me problematika që rrisin edhe më tej barrën financiare që duhet të paguhet dhe në këtë rast “fajëson” palën gjyqfituese. Sipas DAP e para është refuzimi i vazhdueshëm i gjyqfituesve për të dhënë pëlqimin në rastet e propozimeve për emërim në një pozicion të rregullt të shërbimit civil, në përputhje me dispozitivin e vendimit të formës së prerë, kategorinë e pagës, si dhe legjislacionin në fuqi. Ky refuzim është rrjedhojë e parashikimeve të pikës 4, të nenit 66/1, të ligjit nr. 152/2013 “Për nëpunësin civil”, i ndryshuar, ku përcaktohet se “Njësia përgjegjëse është e detyruar që në momentin e krijimit të një vendi të lirë në shërbimin civil, të emërojë, fillimisht, me pëlqimin e tyre, nëpunësit civilë të regjistruar në listë, sipas kategorisë përkatëse dhe që plotësojnë kriteret e pozicionit të punës”. Po kështu vendimi i gjykatës që merr formë të prerë nuk paraqitet në kohë nga gjyqfituesit sipas DAP duke rritur koston për buxhetin. “Zbatimi i kësaj dispozite në praktikë është shoqëruar me problematika sa i takon sjelljes së kreditorit. Konkretisht, janë evidentuar raste të mosparaqitjes së kërkesës për vënien në ekzekutim të titullit ekzekutiv nga kreditori apo raste të paraqitjes së kësaj kërkese pas një kohe relativisht të gjatë. Sjellja e gjyqfituesit e shoqëruar me mosveprimin e tij ka ndikuar në tejzgjatjen e afatit të ekzekutimit të vendimeve gjyqësore të formës së prerë, duke shkaktuar në këtë mënyrë rritjen e efektit financiar në buxhetin e shtetit dhe duke e rënduar atë në mënyrë të vazhdueshme” thuhet në raport. Për të zgjidhur këtë ngërç ky Departament propozon që të hartohet një dispozite mbi parashkrimin e të drejtës për të kërkuar vënien në ekzekutim të titulli ekzekutiv, çka do të bënte të mundur shmangien e vonesave të pajustifikueshme dhe ekzekutimin e titujve ekzekutivë brenda një afati të arsyeshëm dhe rritjen e kostove të panevojshme në buxhetin e shtetit./N.Maho Monitor

Exit mobile version