Aktualitet

Alarmi që jep raporti INSTAT/Qytetet e vogla po shuhen, të larguarit shkojnë në Tiranë, Durrës dhe Vlorë!

Qytetet e vogla po braktisen gjithmonë e më shumë nga banorët e tyre që zgjedhin të vazhdojnë jetën në kryeqytet apo të tjera qytete të mëdha.

Sipas raporti të INSTAT në vitin 2022 migrimi brenda Shqipërisë ka një ndikim të rëndësishëm në popullsinë e njësive administrative.

9 prej 12 qarqeve kanë përjetuar rënie të popullsisë edhe nga emigrimi i brendshëm, përveç ikjes jashtë vendit dhe rënies së lindjeve.

Dibra dhe Elbasani janë qarqet që kanë humbur më shumë nga popullsia e tyre. Respektivisht ata kanë 1822 dhe 1283 më pak qytetarë resident në 2022.

Por nuk mbeten pas edhe Berati, Fieri, Gjirokastra, Korça, Kukësi, Lezha, Shkodra, të cilat kanë patur migracion të brendshëm neto negativ gjatë vitit që lamë pas.

Referuar statistikave shohim se qytetarët e larguar nga rrethet e tjera janë vendosur në Tiranë, Durrës dhe Vlorë. Këto janë të vetmet qarqe që në vitin 2022 kanë patur më shumë të ardhur se të larguar nga vendi I tyre.

Po ashtu si qytetet e vogla, në tërësi popullsia e Shqipërisë ka ardhur duke u zvogëluar që nga viti 2001, megjithëse jo të gjitha qarqet kanë ndjekur këtë prirje.

Popullsia mesatare e Shqipërisë u pakësua nga 2.811.666 banorë më 2021 në 2.777.689 banorë në 2022. Në vitin 2022, qarku me popullsinë mesatare më të madhe në Shqipëri ishte i Tirana me 922.386 banorë, i ndjekur nga Durrësi me 290.561 banorë. Në të njëjtën kohë, dy qarqet me popullsinë mesatare më të vogël në vitin 2022 ishin  Gjirokastra dhe Kukësi.

Gjatë vitit 2022, vetëm popullsia e qarku të Tiranës është rritur.

Exit mobile version